Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Territoriale, Arbjan Mazniku, thotë se drafti është hartuar me qëllimin për t’i bërë bashkitë më funksionale dhe në shërbim të qytetarëve. Ai tha se pavarësisht bashkimit të disa prej tyre, strukturat e reja do të jenë më efikase se sot.
“Maliqi do të mbajë statusin e qytetit, do të ketë një nënkryetar të posaçëm dhe numër proporcional këshilltarësh në Bashkinë e Korçës. Nuk ndryshon asgjë për qytetarët, por funksionet që nuk kryhen nga bashkitë e vogla sot, do të kryhen nga kjo strukturë e re”.
Mazniku tha se ndryshe nga sa pretendon opozita, reforma e re është hartuar mbi analiza të detajuara.
“Është bërë një analizë ekonomike e secilit prej elementëve. Kryesorja është indeksi i funksionalitetit të bashkive. Është analizuar a kanë borxhe dhe sa i kanë. Është bërë një analizë që lidhet me ekonominë e territorit. Dhe së treti është analizuar demografia, raporti mes zonave urbane dhe atyre rurale.
Kemi dy të dhëna specifike: lëvizjen nga zonat rurale në ato urbane. Njerëzit kanë lëvizur nga zonat rurale në ato urbane. Në Shqipëri raporti është 60% në zonat urbane me 40% në zonat rurale”.
I pyetur në lidhje me mungesën e dakordësisë me opozitën, Mazniku tha se asaj iu dha mundësia, por nuk ishte e gatshme për konsensus.
“Për fat të keq ne kemi shkuar në një pikë që i dhamë të gjitha mundësitë opozitës, por kur mendonim se do të gjenim një ekuilibër të shëndetshëm, përballë nesh kishim kërkesë për të shtuar numrin e bashkive. 46 bashki, 71 qytete, ekuilibër mes eficiencës, por opozita nuk ishte e interesuar. Megjithatë, detyra jonë është të qeverisim”.



