Policia e Tiranës ka identifikuar, shoqëruar dhe proceduar penalisht tetë të mitur, të moshës 13 deri në 15 vjeç, të dyshuar si të përfshirë në konfliktin ku mbeti i plagosur lehtë një 20-vjeçar italian.
Sipas Policisë, ngjarja ndodhi më 29 korrik 2026 pranë Pallatit të Kulturës.
‘Pas veprimeve të shpejta hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1 arritën të identifikojnë dhe procedojnë në gjendje të lirë tetë të miturit, të cilët dyshohen se kanë marrë pjesë në konfliktin gjatë të cilit i riu italian pësoi lëndime të lehta trupore.
Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të dyshuar si të përfshirë në ngjarje, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të konfliktit’, beri me dije policia.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme.



