Jola Hysaj flet pasi u emërua në krye të Agjencisë Kombëtare të Turizmit: Jam demokrate, por jo me PD. Çfarë më mbeti në mendje nga takimi me Ramën

Jola Hysaj ka reaguar publikisht pas emërimit të saj në krye të Agjencisë Kombëtare të Turizmit, duke konfirmuar se ka pranuar detyrën dhe duke iu përgjigjur komenteve dhe pyetjeve të shumta që, sipas saj, ka marrë në rrjetet sociale. Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Hysaj shprehet mirënjohëse për besimin e dhënë dhe thotë se synon ta justifikojë me punë. “Po, jam emëruar drejtoreshë e Agjencisë Kombëtare të Turizmit. Jam shumë falënderuese për besimin dhe uroj ta justifikoj plotësisht”, shkruan ajo.

Ish-sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë Demokratike konfirmon gjithashtu se është takuar me kryeministrin Edi Rama, duke zbuluar edhe mesazhin që, sipas saj, mori prej tij. “Po e kam takuar Edi Ramën. Fjala që më mbeti në mend ishte: ‘Nuk dua të bëhesh socialiste, dua të çosh më lart institucionin që ngriti Zana Çela’”, shkruan Hysaj.

Ajo sqaron se bindjet e saj politike nuk kanë ndryshuar, por thekson se nuk është më pjesë e Partisë Demokratike. “Po, jam demokrate, por nuk jam me Partinë Demokratike. Jam me partinë e Shqipërisë turistike”, shprehet ajo. Në fund të reagimit, Hysaj u bën thirrje ndjekësve të respektojnë zgjedhjen e saj për të marrë drejtimin e një institucioni në një fushë ku, sipas saj, ka përvojë prej vitesh.

REAGIMI
Përshëndetje, meqë kam marrë shumë pyetje në whatsap nga miq ja përgjigja ime.
Po jam emëruar drejtore e Agjencisë Kombëtare të Turizmit. Jam shumë falenderuese për besimin dhe uroj ta justifikoj plotësisht.
Po e kam takuar Edi Ramën. Fjala që më mbeti në mend ishte: Nuk dua të bëhesh socialiste, dua të çosh më lart institucionin që ngriti Zana Çela.
Po jam demokrate, por nuk jam me Partinë Demokratike. Jam me partinë e Shqipërisë turistike.
Uroj të respektoni lirinë dhe zgjedhjen time për të bërë një punë të re në një sektor ku kam punuar shumë vite.
Gjithkush është i lirë të spekullojë dhe thurrë teori konspirative. Por kush më njeh e di që unë i pres drutë shkurt.
Kaq kisha nga ana ime. Kush do më urojë punë të mbarë e falenderoj! Kush do më shajë dhe mallkojë e ngushëlloj.

Të Fundit