Vrasja në Roskovec, drejtori i policisë Fier: Autori nuk pranon të dorëzohet, u bë i mundur lirimi i vajzës

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, Erion Ahmeti në një deklaratë për mediat ka zbuluar detaje lidhur me operacionin që po zhvillohet në fshatin Vidhisht pas vrasjes së 58-vjeçarit, Kosta Plaka nga 35-vjeçari Refit Buzi.

Pas vrasjes së ish-vjehrrit dhe plagosjes së ish-vjehrrës, autori është arratisur dhe ka marrë me vete ish-bashkëshorten e tij. Ahmeti ka njoftuar se është bërë i mundur lirimi i vajzës dhe është në spital jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë ai theksoi se po vijon puna për të bindur të riun që të dorëzohet.

“Sot, rreth orës 06:00, ndodhi një ngjarje e rëndë kriminale në fshatin Vidhisht, Roskovec, ku shtetasi R. B., 35 vjeç, vrau me armë gjahu, babanë e ish të dashurës së tij, plagosi nënën e saj, mori peng ish-të dashurën dhe u largua me automjet nga vendi i ngjarjes.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë shkuan në vendngjarje, rrethuan zonën, organizuan ndjekjen e autorit, ngritën pika kontrolli dhe koordinuan veprimet me të gjitha strukturat policore të angazhuara.

Për shkak të rrezikshmërisë së lartë të autorit dhe dinamikës së ngjarjes, u kërkua ndërhyrja e Forcës Speciale “RENEA”.

Pas lokalizimit të autorit, shërbimet e Policisë e rrethuan atë dhe nisën negociatat, pasi ai kërcënonte se do të vriste veten dhe ish të dashurën, të cilën e mbante peng.

Falë profesionalizmit, qetësisë dhe veprimeve të mirëkoordinuara të efektivëve të Policisë, fillimisht u bë i mundur lirimi i shtetases që mbahej peng në automjet, kundër vullnetit të saj. Ajo u transportua menjëherë në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Negociatat me autorin vijojnë, me qëllim që ai të dorëzohet pa shkaktuar pasoja të tjera.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes, si dhe për sqarimin e të gjitha rrethanave dhe zbardhjen e motivit”, tha ai.

Të Fundit