Një ngjarje e rëndë është regjistruar në orët e para të mëngjesit të kësaj të premte në Roskovec ku 35-vjeçari, Refit Buzi ka vrarë ish-vjehrrin, Kosta Plaka. Policia bën me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 06:00 në Vidhisht.
Gjithashtu nga të shtënat me armë gjahu ka mbetur e plagosur edhe ish-vjehrra, Belere Plaka. Ajo ndodhet në spital ku po merr ndihmë mjekësore. Ende nuk dihet gjendja shëndetësore e saj.
Policia shton se autori pas ngjarjes është larguar duke marrë me vete edhe ish-bashkëshorten e tij. Autoritetet kanë ngritur pika kontrolli dhe janë vënë në ndjekje për kapjen e autorit të dyshuar.
“Roskovec/Informacion paraprak. Rreth orës 06:00, në fshatin Vidhisht, Roskovec, dyshohet se shtetasi R. B., 35 vjeç, ka vrarë me armë gjahu ish-vjehrrin e tij, shtetasin K. P., 58 vjeç, si dhe ka plagosur ish-vjehrrën e tij, shtetasen B. P., rreth 55 vjeçe, e cila ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje, kanë ngritur pika kontrolli dhe janë vënë në ndjekje për kapjen e autorit të dyshuar. Vijojnë kontrollet intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se, pas ngjarjes, autori është larguar nga vendi i ngjarjes me automjet, së bashku me ish-bashkëshorten e tij, shtetasen R. P., duke marrë me vete edhe armën e gjahut.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes”, njofton policia.



