Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë këtë të mërkurë, në një deklaratë për mediat, njoftoi se është miratuar në parim projektvendimi për marrëveshjen e sigurimeve shoqërore me Slloveninë.
Ministrja theksoi se vitet e kontributeve të sigurimeve shoqërore do të njihen edhe nga Sllovenia, sipas marrëveshjes së re. Ibrahimaj bëri me dije gjithashtu se po negociohen edhe për katër marrëveshje të tjera.
“Ministria e Ekonomisë sot kaloi një projekt vendim, një miratim në parim i marrëveshjes për sigurimet shoqërore me Slloveninë, duke e çuar në 17 numrin e marrëveshjeve të nënshkruar me Republikën e Shqipërisë ku bashkë me marrëveshjen me Slloveninë janë 11 marrëveshje të cilat janë firmosur me vendet e Bashkimit Evropian.
Janë 4 marrëveshje të tjera duke u negociuar. Unë dua të kujtoj këtu që kjo është një politikë e cila prej disa vitesh tashmë ka filluar dhe është intensifikuar nga ana e qeverisë shqiptare, pasi është thelbësore në mbrojtjen e të drejtave të punës dhe në mbrojtjen e të drejtave dhe pagesave që çdo individ mund të marrë në të ardhmen pasi ka kryer disa vite pune në Republikën e Shqipërisë dhe disa vite pune në një vend tjetër. Ka qenë një problem i cili ndër vite është mbartur”, u shpreh ajo.



