“E hodha unë nga ballkoni, më falni”, ish-i dashuri pranon vrasjen e 13-vjeçares shqiptare në Itali

Ish-i dashuri i Aurora Tilës ka pranuar për herë të parë se ishte ai që e hodhi 13-vjeçaren shqiptare nga ballkoni i një pallati në Piacenza, ngjarje e ndodhur më 25 tetor 2024, duke shkaktuar vdekjen e saj.

Gjatë seancës në Gjykatën e Apelit, i riu, i cili në shkallën e parë ishte dënuar me 17 vite burg nga Gjykata për të Mitur, ndryshoi dëshminë e mëparshme dhe mori përgjegjësinë për krimin.

“E hodha unë nga ballkoni, më falni”, deklaroi ai para trupit gjykues, duke kërkuar ndjesë edhe për faktin që kishte pritur kaq gjatë për të pranuar të vërtetën.

Pas rrëfimit, avokati Emilio Malaspina, përfaqësues i nënës së viktimës, tha se pranimi i fajit mbyll një kapitull të rëndësishëm të çështjes, por nuk duhet të ndikojë në masën e dënimit.

“Me rrëfimin e tij mbyllet një rreth. Megjithatë, shpresojmë që gjykata të konfirmojë vendimin e shkallës së parë, e cila caktoi një dënim të përshtatshëm”, u shpreh Malaspina.

Procesi i apelit është shtyrë për më 10 shtator, datë kur pritet të shpallet vendimi i Gjykatës së Apelit.

Avokati i familjes së Aurorës theksoi se rrëfimi ka ardhur shumë vonë dhe se, sipas tij, synon të sigurojë një ulje të dënimit.

“Besojmë se kjo zgjedhje është bërë pikërisht për të kërkuar një reduktim të dënimit prej 17 vitesh të vendosur në shkallën e parë. Ne do të presim me qetësi vendimin e gjykatës”, deklaroi ai.

Të Fundit