Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Liqenin e Batllavës, ku është gjetur pa shenja jete një 25-vjeçar, i cili ishte raportuar i zhdukur pasi ishte futur në liqen.
Lajmin e hidhur e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana. Trupi i pajetë i viktimës u lokalizua dhe u nxor nga uji gjatë një operacioni të përbashkët kërkim-shpëtimi, të zhvilluar nga ekipet e specializuara të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Policia e Kosovës.
Menjëherë pas nxjerrjes së trupit të pajetë të riut, në vendin e ngjarjes kanë nisur procedurat e nevojshme nga organet kompetente, të cilat po punojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat se si ndodhi kjo ngjarje e rëndë.



