Ndërkohë që brenda sallës së Parlamentit vijojnë diskutimet e rendit të ditës, jashtë ambienteve të Kuvendit situata mbetet e tensionuar. Një grup protestuesish janë grumbulluar përpara Kuvendit duke kërkuar largimin kryeministrit Edi Rama, ku ky i fundit nuk ndodhet në Parlament.
Në shenjë revolte, protestuesit kanë marrë një kosh mbeturinash dhe e kanë vendosur pikërisht pranë derës kryesore të Kuvendit. Përmes këtij akti simbolik, ata i janë drejtuar deputetëve dhe zyrtarëve me thirrjet: “Vendi juaj është këtu!”.
Gjatë tubimit, thirrjet e qytetarëve kanë qenë të drejtuara si ndaj mazhorancës, ashtu edhe ndaj liderëve të vjetër të politikës dhe opozitës. Mes thirrjeve të tyre dëgjohen qartë:“Rama-Berisha e keni vendin në kosh!, “Revolucion!”
Për të parandaluar ndonjë incident apo përshkallëzim të situatës, forca të shumta të Policisë së Shtetit kanë rrethuar të gjithë perimetrin përpara Parlamentit, duke krijuar një kordon sigurie mes protestuesve dhe hyrjes së Parlamentit.



