Në zonën e Porcelanit, një çift të rriturish ka ngritur një skemë shfrytëzimi, duke përdorur fëmijë të vegjël, për të shitur lule. Ata lëvizin me një kamionçinë të vogël, ku transportojnë lulet dhe më pas ndalojnë në një pikë të caktuar. Aty fillon “ndarja e punës”. Të rriturit qëndrojnë në kafe ose në mjet, ndërsa fëmijët shpërndahen në zonë, për të shitur.Pamjet filmike tregojnë momentin, kur të rriturit u japin fëmijëve lulet dhe i nisin nëpër rrugë. Më pas, të miturit shkojnë në rrugë e lokale, duke ofruar produktin.Në një prej komunikimeve, një vajzë e mitur e pyetur, pse nuk është në shkollë, përgjigjet, se e ka mësimin pasdite. Ndërsa për paratë që fiton, përgjigjja është, se ia jep mamit. Fëmijët tregojnë, se vazhdojnë të shesin deri në mbrëmje, në varësi të ditës.Edhe më shqetësues është fakti, se fëmijët dalin për të shitur edhe në kushte të vështira të motit. Ata vetë tregojnë se i transportojnë lulet me autobus dhe i mbajnë në krah për distanca të gjata.
Kemi dalë në rrugët e Tiranës, për një lojë të thjeshtë inteligjence. Nëse kemi një qen, dy lopë dhe një mace, sa këmbë bëhen gjithsej. Me pyetje të tilla, shumë njerëz hutohen dhe kërkojnë të përllogarisin rezultatin, pa mundur ta japin të saktë atë.Situatat, që krijohen me të intervistuarit, janë plot humor.
Në qytetin e Kuçovës, situata e pastrimit urban është lënë në mëshirë të fatit. Një monitorim në terren tregon, se sapo largohesh nga qendra, panorama ndryshon ndjeshëm: mungojnë koshat e vegjël, ndërsa shumë prej kazanëve janë të amortizuar. Në disa raste, mbetjet mbeten të shpërndara, duke krijuar një pamje të papërshtatshme për qytetin.Që prej vitit 2019, pastrimi i Kuçovës kryhet nga kompania Viola Green sh.p.k., e cila ka fituar tenderin. Sipas avokatit Arben Llangozi, ky proces shoqërohet me konflikt interesi, pasi administratori i kompanisë, Sherif Kapllani, është i afërm i ish-kryetarit të bashkisë, Selfo Kapllani. Ai pretendon gjithashtu, se gjatë procedurës së tenderimit, janë konstatuar parregullsi, përfshirë përjashtimin e një firme tjetër nga gara, por pa sjellë ndryshim në rezultatin final.Situata është përkeqësuar pas rizgjedhjes së kompanisë në vitin 2023. Sipas burimeve, punëtorët përballen me vonesa në paga dhe presion, për të mos ngritur shqetësime, ndërsa një nga ortakët e kompanisë raportohet të jetë nën masë arresti. Nënkryetari i bashkisë Erald Shushari shmangu një përgjigje të drejtpërdrejtë, ndërsa në përgjigjen zyrtare, bashkia pranoi, se kontrata me kompaninë lidhet me periudhën, kur drejtimin e kishte Selfo Kapllani, por mohoi ekzistencën e konfliktit të interesit, duke argumentuar se administratori në atë kohë ishte një tjetër person. Për sa i përket transparencës, bashkia deklaroi se dokumentacioni i monitorimit është shumë voluminoz për t’u vënë në dispozicion.




