Deputeti i PS, Erion Braçe ishte në GJKKO për çështjen gjyqësore që lidhet me akuzën për shpifje, lidhur me nje konflikt pronësie në Lushnje.
Në një komunikim për mediat Braçe deklaroi se toka nga vija e lumit deri në argjinaturë është pronë shtetërore e patjetërsueshme, duke theksuar se çdo përpjekje për privatizimin e saj përbën shkelje të ligjit.
Ai shtoi me tej se duhet të ketë ndëshkime shembull për rastet e tjetërsimit të pronave publike.
“Besoj që jemi para një fakti penal shumë konkret. Mendoja se mjaftonte ligji i vitit 2022 dhe vendimi i këshilli të ministrave që përcakton që toka nga vija e lumit deri në argjinaturë është shtetërore, e patjetërsueshme. Meqë zotërinjtë në seancën që shkuan insistuan në këtë pikë, kam depozituar sot pranë gjykatës, ligjet, bashkë me vendimet respektive të këshillit të Ministrave që përcaktojnë qartë që nga ajo periudhë që toka nga vija e lumit deri në argjinaturë është tokë e lumit, tokë e shtetit dhe as nuk mund të tjetërsohet dhe as parashkruhet.
Të gjithë zyrtarët që nga 1995 që kanë qenë në dijeni të ligjeve në fuqi, ligjit të vitit 1994, 1996 dhe të gjithë zyrtarët e këtyre institucioneve, natyrisht që për mua duhet të vihen nën hetim, sepse kanë qenë në dijeni të këtij fakti dhe kanë shkelur ligjin ”, tha ai, i cili theksoi se “fakti penal është verifikuar dhe i takon prokurorisë nëse do të fillojë procedim penal apo jo”.
“Unë mendoj se njëri duhet bërë shembull, pra në gjithë këtë histori tjetërsimi pronash në të gjithë Shqipërinë në favor të privatit në mënyrë të pamerituar dhe në shkelje të ligjit, një rast duhet bërë shembull. Askush nuk duhet të guxojë që të hyjë në tokat e lumenjve. Në kushtet në të cilat ndodhemi, në kushtet e fatkeqësisë natyrore, për shkak të tjetërsimit të tokave dhe shtretërve të lumit, dikush duhet të ndëshkohet që të tjerët mos guxojnë më atje”, deklaroi Braçe.
Kujtojmë që deputeti socialist është përfshirë prej muajsh në një proces gjyqësor me biznesmenin Anduel Çekrezi, pas deklaratave publike dhe postimeve në rrjetet sociale lidhur me një konflikt pronësie në zonën e Imshtës, në Lushnjë.



