Në lagjen “Gërmadhë”, në fshatin Ferraj të Njësisë Administrative Dajt, prej vitesh, rreth 40–50 familje jetojnë pa furnizim me ujë të pijshëm dhe pa rrjet kanalizimesh. Banori Hamit Kodra është i vetmi, që ka guxuar të denoncojë situatën, duke treguar, se mungesa e rrjetit të Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë, i detyron banorët të sigurojnë ujin vetë. Ai udhëton çdo ditë drejt Linzës, në Shkallën e Tujanit, për të mbushur ujë për familjen, një rrugë, që e përshkon disa herë në ditë, sidomos gjatë verës, duke shpenzuar kohë e mund. Gazetarja e “Stop” u bë pjesë e “ritualit” për ujë bashkë me Hamitin. Kryetari i Njësisë Administrative Dajt, Alfred Brahja, pranoi, se mungesa e ujit dhe kanalizimeve është një problem i hershëm, i pazgjidhur ndër vite, duke përmendur edhe paqëndrueshmërinë në drejtimin e UKT-së, si një nga arsyet. Ai theksoi, se ka bërë kërkesa zyrtare dhe përpjekje për zgjidhje alternative. Drejtori i UKT-së, Flauers Shoshi, premtoi, se brenda një jave, do të nisë hartimi i projektit për zonën dhe më pas investimi konkret për ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimeve.
Një trend i ri viral po qarkullon mes udhëtarëve, të cilët po printojnë qëllimisht foto qesharake të vetes, duke i ngjitur në valixhe. Qëllimi është i thjeshtë, ta bëjnë bagazhin lehtësisht të dallueshëm dhe të shmangin ngatërresat me valixhe të ngjashme. Ideja po përhapet shpejt në rrjetet sociale, ku shumë njerëz e konsiderojnë këtë një zgjidhje praktike dhe argëtuese.
Në 31 mars transmetuam denoncimin e një prind të një studenti ekselent në Universitetin e Mjekësisë, i cili tha, se bursat e ekselencës për këtë vit akademik, nuk ishin dhënë. Administrata dha versione kontradiktore për këtë ngërc. Financa tha, se procesi ishte në pritje të procedurave dhe frekuentimeve, ndërsa sekretaria pohoi, se listat e përfituesve kishin mbërritur. Rreth 500 studentë pretendojnë, se u ishte kërkuar të nënshkruajnë kontrata për punë të detyruar pas studimeve, në të kundërt mund të mos e përfitonin bursën. Klaudi Zholi dhe Adriana Kalaja, argumentuan, se ky kushtëzim, përbën shkelje ligjore, pasi bursa e ekselencës nuk mund të lidhet me detyrimin për punësim.Pak ditë më pas u kthyem në Universitetin e Mjeksisë, ku mësuam, se bursat janë dhënë e për problemin e krijuar, u morën dhe masa, duke shkarkuar financieret.




