Në vijim të hetimeve për një seri denoncimesh për mashtrim financiar, skandali i Eriola Hoxhës ka marrë përmasa të reja.Sipas denoncimit të bërë nga qytetari Durim Hoxha, ai është kontaktuar nga Eriola Hoxha, e cila i ka premtuar dyfishim të shumës, nëse investonte 10 mijë euro. Sipas tij, ajo i është prezantuar si eksperte pranë Bankës së Shqipërisë, duke i krijuar besim për marrëveshjen.Denoncuesi shprehet, se më 1 shtator 2025 i ka dhënë shumën prej 10 mijë eurosh, me premtimin, se brenda 1 tetorit do të merrte 20 mijë euro. Por pas afatit, paratë nuk u kthyen dhe komunikimi me Eriolën u ndërpre. Pas kallzimit, Policia e Shtetit, ka marrë në shqyrtim rastin dhe, sipas oficerëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, ndaj saj rezultojnë edhe denoncime të tjera të ngjashme. Autoritetet konfirmojnë, se ajo ndodhet aktualisht në burgun e Pogradecit dhe është nën hetim për një sërë rastesh mashtrimi financiar. Policia në bashkëpunim me Prokurorinë po punojnë për të bashkuar të gjitha kallzimet ekzistuese dhe të reja, me qëllim zbardhjen e plotë të skemës së dyshuar.
Sot në seancën parlamentare janë regjistruar katër kërkesa për interpelancë me ministra të ndryshëm, duke sjellë debate mbi mënyrën e trajtimit dhe rendit të shqyrtimit të tyre.Deputeti Saimir Korreshi ka reaguar me ironi për vonesat dhe pritjen e gjatë të interpelancave, duke e krahasuar procesin me “rradhën e vajgurit”. Sipas tij, kur vjen radha e intepelancës, ka mbaruar vajguri, njëlloj si në kohën e komunizmit.
Dy ditë më parë transmetuam një vëzhgim në plot 13 shkolla të Tiranës, për të parë funksionimin e shërbimit shëndetësor. Edhe pse mjekët dhe stomatologët rezultojnë të planifikuar me grafikë, për të mbuluar institucionet arsimore, në praktikë prania e tyre ishte e rrallë, ose inekzistente. Kamera jonë provoi mungesë të plotë të mjekëve, ose prezencë sporadike të tyre.Nga dëshmitë e rojeve, mësuesve dhe nxënësve, doli, se këta specialistë lëvizin nga një shkollë në tjetrën ose mungojnë për periudha të gjata, duke e bërë shërbimin joefektiv. Pas transmetimit tonë, Operatori i shërbimeve të kujdesit shëndetësor, njofton, se janë pezulluar të gjithë punonjësit e transmetuar në emision dhe nga verifikimet, që do të kryhen, do të merren masa të tjera në varësi të mungesave. Nëse ka lidhje me shërbimet menaxheriale, gjithashtu do të merren masa për drejtuesit e shërbimit.



