Berisha: Kryengritja paqësore është zgjedhja jonë, protesta do të vazhdojë pa ndalim deri në rrëzimin e Ramës

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha deklaroi se protesta e opozitës është një zgjedhje e qëllimshme politike që synon rrëzimin e qeverisë përmes një “kryengritjeje paqësore”. Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët, Berisha akuzoi qeverinë për shtypje të opozitës dhe pretendoi se në Shqipëri po kufizohet pluralizmi politik dhe po ndikohet procesi zgjedhor.

Berisha tha se krimi i organizuar, ka ndikim në zgjedhje dhe përmendi deklarata të zyrtarëve europianë në mbështetje të këtij shqetësimi. Ai shtoi gjithashtu se Partia Demokratike është në proces riorganizimi dhe se drejtimi i saj do të vendoset vetëm përmes votës së anëtarëve të partisë.

“Së pari, nuk na dikton njeri ne dhe nuk na e ka diktuar taktikën tonë. Kryengritja paqësore është zgjedhja jonë. Me besimin e plotë se kjo është më e mira. Vija e kuqe e jona është protesta gjerë në rrëzimin e Edi Ramës. E lodhshme, rraskapitëse, e mundimshme, por ne këtë kemi zgjedhur. Vija e kuqe e jona si protestë, gjer në rrëzimin e Edi Ramës është jetike jo vetëm për Shqipërinë, jo vetëm për Partinë Demokratike por dhe për Shqipërinë, që të ketë një opozitë me zë të fuqishëm. Ata që mërziten Kris, nga protesta e Partisë Demokratike, gabojnë, në qoftë se janë kundërshtarë të regjimit. Gabojnë shumë. Protesta e Partisë Demokratike është zëri i atyre qytetarëve që guxojnë të dalin në rrugë. Për çfarë çështjesh? Dalin në rrugë për çështje të cilat janë njëlloj rrënuese për çdo qytetar të ndershëm të këtij vendi, pavarësisht nga bindjet politike. Mendo pak njëherë sikur Partia Demokratike të mos dilte në rrugë, po të ndiqte shumicën e heshtur. Çfarë do të thoshte kjo për Shqipërinë? Çfarë do thoshte?

Do të keni një gjë parasysh, se Shqipëria sot është një diktaturë autoritare. Një diktaturë autoritare që dallon nga diktaturat totalitare, sepse kjo e pranon pluralizmin. Por kjo e shtyp pluralizmin. E shtyp pluralizmin. Ata të cilët kanë një dyshim në këtë, më lejo t’u shtrojmë pyetjen bashkë. Në të cilin regjim arrestohen si persona nën hetim vitin elektoral liderët e opozitës? A mund të realizoni ju se ç’do të thotë kjo? Në të cilin regjim? Vitin elektoral arrestohen liderët e opozitës si persona nën hetim. Cili është qëllimi i këtij, i këtij arrestimi? Qëllimi i tij është një dhe vetëm një, të marrë të grabisë zgjedhjet me çdo kusht. Në të cilin regjim përdoren kartelet e drogës për të përcaktuar rezultatet e zgjedhjeve, siç e përcaktuan në Durrës, siç e përcaktuan në Elbasan, siç e përcaktuan në Vlorë, në Fier dhe një seri qytetesh të tjera. Kur mendon, mos harro se këto kartela administrojnë miliarda, jo qindra milionë, miliarda euro. Dhe ato kanë vetëm një detyrë në bashkëpunimin politik, zgjedhjet, garantimin e fitores.

Të Fundit