Gjykata e Lartë njofton shtyrjen e seancave gjyqësore, janë dëmtuar dosje! Shkak protestat në Tiranë

Gjykata e Lartë ka njoftuar shtyrjen e seancave gjyqësore, me përjashtim të çështjeve urgjente, pas dëmeve materiale dhe dëmtimit të dosjeve gjyqësore nga zjarri i shkaktuar gjatë protestave më 17 tetor.

Në një njoftim për publikun, të publikuar më 20 tetor, institucioni bën të ditur se dëmet e shkaktuara në ambientet dhe infrastrukturën e gjykatës kanë ndikuar në zhvillimin normal të veprimtarisë gjyqësore.

Sipas Gjykatës së Lartë, seancat do të mbeten të shtyra deri në përfundimin e verifikimit të dëmeve, vlerësimit të gjendjes së dosjeve gjyqësore dhe rikthimit të kushteve të nevojshme për vijimin e punës.

Institucioni ka vënë në dispozicion kapacitetet e tij njerëzore për të përballuar situatën, ndërsa prioritet mbetet identifikimi dhe verifikimi i dokumentacionit të dëmtuar, si dhe garantimi i integritetit të dosjeve gjyqësore.

Gjykata bën me dije se palët e prekura nga kjo situatë do të njoftohen individualisht përmes të dhënave të kontaktit, ndërsa datat e reja të seancave do të publikohen në faqen zyrtare dhe kanalet e tjera të komunikimit të institucionit.

Gjykata e Lartë ka kërkuar mirëkuptimin e palëve ndërgjyqëse dhe të përfaqësuesve të tyre ligjorë, duke theksuar se rikthimi në normalitet kërkon kohë dhe kujdes për të garantuar vijimësinë e sigurt të proceseve gjyqësore.

Të Fundit