EMRI/ Theu masën “Arrest në shtëpi” dhe kreu 6 vjedhje, kapet “hajduti i birrave” në Tiranë

Policia në Tiranë ka finalizuar operacionin e koduar “Penaliteti”, në kuadër të hetimeve për zbardhjen e disa rasteve të vjedhjeve të ndodhura më parë.

Si rezultat i veprimeve intensive hetimore, pas kallëzimeve të qytetarëve dhe administratorëve të bizneseve për vjedhje të pronës, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 arritën të lokalizojnë, kapin dhe vënë në pranga autorin e dyshuar, shtetasin Agustjan Hyka, 26 vjeç.

Nga hetimet paraprake dyshohet se gjatë muajit prill 2026, i riu ka vjedhur shuma parash dhe produkte në katër subjekte, si dhe ka tentuar të kryejë vjedhje në një banesë dhe në një tjetër subjekt.

Gjithashtu, nga verifikimet rezultoi se 26-vjeçari kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, e vendosur ndaj tij për veprën penale “Dhuna në familje”.

Policia bën me dije se hetimet vijojnë për të zbardhur raste të tjera vjedhjesh që mund të ketë kryer i riu, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

Të Fundit