Qytetarja Vjollca Gjoni denoncon kushërirën e saj, Mimoza Çali, për moskthimin e një borxhi prej 4 milionë lekësh.Sipas znj. Gjoni, gjithçka nisi në vitin 2023, kur ajo i dha Mimoza Çalit 34 milionë lekë të vjetra si hua mbi bazën e besimit familjar. Me kalimin e kohës, huamarrësja i ktheu 30 milionë lekë, ndërsa 4 milionë lekë kanë mbetur pa paguar.Për të shmangur problemet, palët bënë dhe një akt noterial, ku si garant doli djali i Mimoza Çalit, Genti Çali. Në këtë dokument përcaktohet, se shuma e mbetur, duhet të shlyhet brenda një viti. Por ky afat ka kaluar pa u respektuar.Znj. Gjoni disponon edhe mesazhe dhe komunikime telefonike, ku Mimoza Çali pranon detyrimin dhe premton të bëjë pagesa mujore prej 100 mijë lekësh, apo të marrë kredi për të shlyer borxhin. Pavarësisht këtyre premtimeve të përsëritura, pagesat nuk janë kryer.Gazetarja kërkon kontakt me Mimoza Çalin, por ajo nuk përgjigjet në telefon dhe nuk pranon të dalë për sqarime.Vetëm një ditë pas ndërhyrjejes së gazetares, Mimoza Çali i dërgoi mesazh denoncueses, duke kërkuar 10 ditë kohë, dhe duke u justifikuar me probleme shëndetësore.
Emisioni “Stop” ka mundur të sigurojë audio nga mbledhja e radhës e KLP-së, ku ra në sy mungesa e prokurorit Olger Eminaj, i denoncuar në program për ngacmim seksual ndaj një gruaje, që u ankua për një proces të sajin në këtë institucion. Në mbledhje vihet re problematika e prokurorisë së Sarandës dhe drejtuesit të saj. Nga ana tjetër, megjithë denoncimet e vazhdueshme ndaj prokurores Esmeranda Bashko, është bërë me dije, se Basho do të angazhohet si pedagoge në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, në filialin e Sarandës.
Në 19 mars transmetuam një rast të një mashtrimi, që u denoncua nga Redona Hoxha, pronare e një biznesi të vogël në Durrës. Ajo tha, se kishte punësuar ekonomisten Anila Allamani, për të kryer pagesat e sigurimeve shoqërore. Ekonomistja fillimisht ishte treguar korrekte, por më pas nuk kishte derdhur asnjë pagesë, pavarësisht, se kishte marrë paratë. Bëhet fjalë për rreth 6 milionë lekë sigurime të papaguara, ndërkohë që ekonomistja i kishte premtuar t’ia kthente shumën në tetor të vitit 2025. Afati kaloi dhe paratë nuk u kthyen, duke lënë pas një mal me detyrime të papaguara.Në redaksinë tonë kanë mbërritur të tjera denoncime për ekonomisten Anila Allamani. Një qytetar nga Durrësi tregon, se i është shkaktuar një dëm prej 5 milion lekësh, për pagesat, që duhet t’i bënte Anila. Një zonjë shprehet, se ka pasur, për të bërë aplikimet a barrëlindjes dhe nuk janë bërë. Madje ekonomistja Anila Allamani i ka premtuar, se do t’i nxirrte kredi të butë, duke i marrë për këtë 400 mijë lekë.Një qytetare nga Shkodra shprehet, se i është bërë një dëm i madh në biznesin e saj nga e njëjta ekonomiste dhe kjo e fundit, i ka premtuar, se do t’ia kryejë pagesat, pa e bërë kurrë këtë detyrim.




