Autoriteti i Konkurrencës ka ngritur një Grup Pune për monitorimin e tregut të bukës në qytetin e Korçës, pas raportimeve në media që disa ndërmarrje të prodhimit dhe shitjes së bukës kanë lajmëruar rritjen e çmimit nga 120 lekë në 150 lekë, një rritje mbi 25%.
Sipas Autoritetit, kontrollet në terren po realizohen në mënyrë të menjëhershme për të verifikuar nëse ky njoftim do të zbatohet dhe për të vlerësuar nëse kjo sjellje përbën shkelje të ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”.
Ky ligj ndalon çdo marrëveshje që pengon, kufizon apo shtrembëron konkurrencën në treg, duke përfshirë edhe vendosjen e çmimeve në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë. Autoriteti thekson se shkelja e ligjit përbën kundërvajtje administrative dhe mund të sanksionohet me gjobë deri në 10% të xhiros së vitit financiar të mëparshëm të ndërmarrjeve të përfshira.
Autoriteti i Konkurrencës u bën thirrje ndërmarrjeve të tregtimit të bukës të respektojnë ligjin dhe të shmangin praktikat që cenojnë konkurrencën në treg.



