“Lidershipi nuk i lë të vijnë në mbledhje”, Balla: Nuk bëjmë ultimatume, reformat i bëjmë dhe pa PD

Këtë të hënë, nga Kryesia e Kuvendit, Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, dha një deklaratë për mediat.

Gjatë fjalës së tij, Balla foli dhe për kërkesën që u ka bërë deputetëve të PD-së, që sipas tij të reflektojnë dhe të marrin pjesë në Komisionit të Posaçëm, të angazhohen me përgjegjësi dhe të respektojnë parimin e barazisë dhe bashkëdrejtimit.

“Në mungesë të një komunikimi ditën e enjte, kur kemi pasur konferencën e kryetarëve, dua t’ju rikujtoj se unë nuk bëj ultimatum dhe nuk jam natyrë që të bëj ultimatum, por kam bërë një kërkesë deputetëve, kolegëve të PD-së, që të reflektojnë sa i përket detyrimit që kanë për të zbatuar vendimin e Kuvendit të Shqipërisë për ngritjen e Komisionit të Posaçëm të Reformës Administrative-Territoriale.

Kemi rënë dakord për të ngritur një komision, kemi rënë dakord që kemi vendosur parimin e barazisë dhe po ashtu të bashkëdrejtimit, dhe që çdo shkresë që nis nga njëri prej bashkëkryetarëve duhet të kundërfirmoset nga bashkëkryetari tjetër.

Jemi në situatën që, pas tre muajsh të ngritjes së këtij komisioni të posaçëm, deputetët e PD-së nuk lejohen nga lidershipi i partisë së tyre të marrin pjesë në mbledhjet e Komisionit.

Shpresoj që sot, në mbledhjen e Komisionit të Posaçëm, jo vetëm deputetët e opozitës të jenë prezent, por edhe të marrin detyrat brenda kompozicionit të këtij komisioni, në mënyrë që nesër, në seancën e Kuvendit, të mos jemi të detyruar të vendosim mekanizma zhbllokues të kësaj situate”, u shpreh Balla.

Të Fundit