Arrestimi i të miturit në protestën e PD, policia: Gjuante me gurë, u lirua sapo erdhën prindërit

Policia e Tiranës ka reaguar zyrtarisht lidhur me arrestimin e një të mituri gjatë protestës së një nate më parë të organizuar nga Partia Demokratike.

Përmes një njoftimi për mediat në orët e vona të mbrëmjes së të shtunës, policia sqaron se i mituri ka qëlluar me gurë dhe sende të forta në drejtim të policisë dhe është shoqëruar për verifikim.

Reagimi i plotë i policisë së Tiranës

Në lidhje me shoqërimin e një të mituri në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, sqarojmë se gjatë veprimeve të shërbimeve të Policisë për parandalimin e sjelljeve dhe veprimeve të rrezikshme, në tubimin e mbajtur ditën e sotme, është konstatuar një i mitur duke gjuajtur me gurë dhe sende të forta në drejtim të shërbimeve të Policisë. Për këtë arsye, i mituri është marrë për verifikim, nga ku rezultoi të ishte i moshës 14 vjeç.

Theksojmë se shtetasi i mitur në asnjë moment nuk është mbajtur në ambiente të përbashkëta me persona të rritur të ndaluar apo të shoqëruar, por ka qëndruar në një ambient të përshtatshëm dhe është trajtuar me kujdes, në përputhje me parimet dhe garancitë ligjore për të miturit. Ai është lënë i lirë menjëherë pas mbërritjes së përfaqësuesit ligjor.

Në lidhje me veprimet e punonjësve të Policisë gjatë trajtimit të këtij rasti, është njoftuar menjëherë Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, si dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, për verifikimin e plotë të rastit.

Të Fundit