Trëndelina Bufi rrëfen kalvarin, për të siguruar përkujdesje për vëllain, Agron Bufi, i cili pas një aksidenti të rëndë, mbeti i varur nga ndihma e të tjerëve. I braktisur nga fëmijët, Agroni u dërgua fillimisht në një azil në Tiranë, ku qëndroi për rreth tre vite. Pagesat kryheshin nga të afërmit, por mungesa e vizitave familjare ndikoi rëndë në gjendjen e tij psikologjike.E shqetësuar, Trëndelina e transferoi vëllanë në qendrën “Vila e Rrokut”, ku sipas saj, ai u rrëzua dy herë dhe përfundoi në karrocë. Pas disa ngjarjeve shqetësuese dhe mungesës së reagimit nga punonjësit, ajo vendosi ta largojë Agronin nga kjo qendër. “Stop” u drejtua me kamerë të fshehtë në këtë azil në Durrës, por punonjësit shmangën dhënien e informacionit mbi rrëzimet, dokumentacionin mjekësor dhe kamerat e sigurisë. Ky azil rezulton të ketë aktivitet kryesor shërbimet funerale, duke ngritur pikëpyetje për natyrën reale të veprimtarisë.Më pas, Agroni u zhvendos në Tiranë, por as aty situata nuk u përmirësua. Një azil i dytë mori pagesën për muajin janar, duke pretenduar se dy javët e fundit të dhjetorit ishin falas, ndërkohë që gjendja e Agronit u përkeqësua. Në dhjetor 2025, Trëndelina u detyrua ta marrë vëllanë në shtëpinë e saj.Një tjetër azil, në zonën e Saukut, kërkoi pagesë për ditët e dhjetorit, megjithëse punonjësit nuk dinin as emrin tregtar të qendrës. Drejtoresha Agetina Hidershaj pranoi, se marrëveshja ishte për janarin 2026, por këmbënguli për pagesën e 17 ditëve. Avokati Artur Meça, që rezulton pronar i institucionit, premtoi kthimin e një pjese të shumës, por transferta nuk u krye. Gjatë xhirimeve u konstatuan edhe kushte të dobëta higjiene.Rikthimi në një qendër në zonën e Qytetit Studenti, ku ndodhet doktoresha Maja, u shoqërua me refuzim komunikimi dhe mbyllje dere nga stafi. As drejtuesit dhe as administratorët nuk dhanë një qëndrim zyrtar. “Stop” ka vënë në dijeni institucionet shtetërore për të siguruar akomodimin e Agron Bufit në një azil shtetëror.
Pak ditë pasi një qytetar me një tufë delesh u shfaq në emisionin “Stop”, duke i shëtitur ato në mes të qytetit të Kavajës, një gjë e tillë ka ndodhur në Bavari të Gjermanisë.Një tufë me bagëti janë futur për disa minuta në një supermarket, duke shkaktuar habi dhe kaos.Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku u shfaq sot në një aktivitet publik, duke folur për suksese, edhe pse është e akuzuar nga Spak për favorizim tenderash dhe ndaj saj është kërkuar heqja e imunitetit, për t’i hapur rrugë arrestimit.
Kevi, një shtetas shqiptar, që jeton në Itali, tregon për problemin me të cilin është përballur pas kryerjes së martesës në Shqipëri. Prej katër muajsh, ai ka hasur vështirësi në njohjen e martesës nga autoritetet italiane, pasi komuna në Itali, nuk i ka pranuar certifikatën e martesës të shkarkuar nga e-Albania, e pajisur me vulë elektronike.Sipas Kevit, autoritetet italiane kanë argumentuar, se dokumenti me vulë elektronike nuk konsiderohet dokument zyrtar origjinal dhe kanë kërkuar domosdoshmërisht certifikatën me firmë dhe vulë të njomë.Situata ndryshoi, pasi Kevi i bëri me dije zyrtarit italian, se çështjen do ta bënte publike në Shqipëri dhe i tregoi komunikimin me gazetarin e “Stop”.Si Kevi janë dhjetëra shtetas shqiptarë në Itali, që kërkojnë njohjen e martesave të kryera në Shqipëri dhe përballen me të njëjtin problem.Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile konfirmon, se për këto raste lëshohen certifikata me vulë të njomë. Sipas institucionit, punonjësi i gjendjes civile, duhet të referojë problematikën në Drejtorinë e Përgjithshme, e cila më pas jep konfirmimin për lëshimin e certifikatës së martesës me firmë dhe vulë të njomë.




