“Barazia gjinore” në kushtetuese, Pano: Ky është ligji anti-familje, anti-Zot dhe anti-njeri

Koalicioni Pro Familjes dhe Diaspora për Shqipërinë e Lirë ka goditur në Gjykatën Kushtetuese ligjin për barazinë gjinore. Pastori Akil Pano shpjegoi për gazetarët se ky ligj cenon familjen shqiptare, duke iu bërë apel gjyqtarëve ta rrëzojnë atë.

“Ky është ligji anti-familje, anti-Zot, anti-njeri. Ligji që na kthen pas në kohë, tek ligji për agjitacion e propagandë. Ky ligj duhet të shfuqizohet nga Gjykata Kushtetuese dhe unë ju them sot që kjo është një nga betejat e mëdha, një nga betejat prej të cilave ne nuk kemi ndër mend të tërhiqemi. Do ta çojmë deri në fund betejën tonë për të mbrojtur familjen, fëmijët dhe lirinë,” tha pastori Akil Pano.

Koalicioni Pro Familjes dhe Diaspora për Shqipërinë e Lirë nuk janë të vetmit kritikë të ligjit për barazinë gjinore. Partia Demokratike ka dalë gjithashtu kundër tij, duke paralajmëruar se do ta çojë këtë ligj edhe në referendum për ta shfuqizuar. Komunitete fetare gjithashtu u pozicionuan kundër tij.

Kritikat që kanë shoqëruar miratimin e këtij ligji lidhen me konceptet që janë sanksionuar për gjininë; sipas kundërshtarëve, këto parashikime krijojnë shtrat ligjor për një shoqëri me shumë gjini, duke goditur shoqërinë shqiptare dhe dy gjinitë, burrë e grua.

Por ata që kanë mbështetur ligjin argumentojnë se ka vetëm dy gjini, burrë e grua, dhe ligji vetëm jep garanci për mosdiskriminim.

Të Fundit