Sadushi: Mungesa e gjyqtarëve rrezikon funksionimin e drejtësisë shqiptare

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, prezantoi sot për median një bilanc të veprimtarisë së institucionit për vitin 2025, duke nxjerrë në pah arritjet e Gjykatës së Lartë, por edhe problematikat strukturore që ndikojnë në funksionimin e sistemit gjyqësor shqiptar.

Sadushi nënvizoi se veprimtaria e Gjykatës së Lartë është udhëhequr nga tri prioritete kryesore:

“Veprimtaria e Gjykatës së Lartë është udhëhequr nga tri prioritete thelbësore: menaxhimi i backlogut në mënyrë të përgjegjshme, konsolidimi i praktikës gjyqësore dhe forcimi i legjitimitetit institucional përmes transparencës dhe respektimit të standardeve të një gjykimi të drejtë.”

Ai shtoi se ky vizion nuk synon thjesht shifra, por cilësi dhe besim publik:

“Ky është vizioni i një gjykate moderne: jo thjesht ritëm dhe shifra, por cilësi, qëndrueshmëri dhe besim publik.”

Sadushi bëri të ditur se ulja e backlogut ka qenë domethënëse:

“Ulja e backlogut me 61% është një tregues domethënës i performancës së Gjykatës së Lartë, veçanërisht në kushtet kur në gjykatat e apelit stoku i çështjeve vijon të rritet. Rezultati i arritur është produkt i një volumi pune të jashtëzakonshëm, i disiplinës institucionale dhe i një strategjie të qëndrueshme.”

Ai shpjegoi se gjatë pesë viteve të fundit janë dhënë 39.269 vendime, ndërsa gjatë vitit 2025 janë dhënë 6.876 vendime, përfshirë 2.506 nga Kolegji Administrativ, 2.395 nga Kolegji Civil dhe 1.975 nga Kolegji Penal.

Megjithatë, Sadushi paralajmëroi se sfidat mbeten të mëdha:

“Vijon të mbetet problem serioz cilësia e dobët e rekurseve. Nuk e kanë kaluar testin e pranueshmërisë 60% e rekurseve në Kolegjin Civil, 71% në Kolegjin Administrativ dhe 82% në Kolegjin Penal. Për rrjedhojë, koha gjyqësore po shpenzohet për ankime që nuk plotësojnë standardin ligjor të gjykimit kasacional. Kjo nuk i shërben as qytetarit, as shtetit, as vetë drejtësisë.”

Ai shtoi se rekurset e papranueshme lidhen kryesisht me organet publike në fushën administrative:

“Në vitin 2025, organet publike rezultojnë gjyq-humbëse në 55% të çështjeve administrative (1.016 çështje), ndërsa individët dhe subjektet privatë në 42% (777 çështje). Në fushën penale, prokuroria rezulton gjyq-humbëse në 18.4% të çështjeve (302 çështje), ndërsa individët në 80.2% (1.323 çështje). Kjo situatë evidenton problematika në përfaqësimin ligjor, moshartimin siç duhet të rekurseve, mosndjekjen apo mosnjohjen e praktikës së Gjykatës së Lartë dhe ngatërrimin e rolit të gjykatës kasacionale me gjykatat e faktit.”

Sadushi theksoi se problemi kryesor i sistemit gjyqësor mbetet mungesa e gjyqtarëve:
“Aktualisht janë 307 gjyqtarë efektivë në detyrë, përballë 417 të parashikuar nga struktura organizative, çka do të thotë se sistemi funksionon me vetëm 73.6% të kapacitetit të tij. Nëse i referohemi standardeve të CEPEJ, Shqipërisë do t’i nevojiteshin rreth 587 gjyqtarë.”

Ai paralajmëroi se pa rritjen e kapaciteteve, presioni mbi sistemin do të vazhdojë:

“Sot është domosdoshmëri të merren masa konkrete për korrigjimin e menjëhershëm të kuotave të pranimit në Shkollën e Magjistraturës. Një sistem nuk mund të mbështetet pafundësisht te sakrifica individuale.”

Gjykatat e apelit janë veçanërisht të prekur:

“Gjykatat e apelit përbëjnë sot hallkën më kritike të sistemit gjyqësor, duke funksionuar me vetëm 55.9% të trupës gjyqësore të parashikuar, çka rrezikon seriozisht aftësinë e tyre për të përballuar volumin e çështjeve dhe për të garantuar afate të arsyeshme gjykimi.”

Sadushi vuri në dukje përpjekjet për të rritur legjitimitetin dhe transparencën:

“Transparenca mbetet orientim kryesor. Komunikimi publik, buletini elektronik dhe baza e të dhënave JUDIX janë forcuar, duke rritur aksesueshmërinë në praktikën gjyqësore. Edhe bashkëpunimi ndërkombëtar është forcuar në mënyrë të dukshme: organizimi në Vlorë i Konferencës së Kryetarëve të Gjykatave të Larta të Europës Qendrore dhe Lindore, pjesëmarrja aktive në rrjetet europiane, si dhe besimi i dhënë Shqipërisë për organizimin e World Law Congress 2027, janë tregues konkretë të kësaj besueshmërie institucionale.”

Ai përfundoi mesazhin e tij duke paralajmëruar se arritjet nuk mund të fshehin sfidat:
“Rezultatet e Gjykatës së Lartë janë reale, por ato nuk përfaqësojnë panoramën e plotë të drejtësisë shqiptare. Sistemi sot prodhon backlog të ri për shkak të mungesave strukturore. Çdo ngarkesë e krijuar sot në shkallë të parë dhe apel, nesër do të jetë ngarkesë për Gjykatën e Lartë.”

Sadushi theksoi gjithashtu se funksionimi i drejtësisë nuk mund të mbështetet vetëm tek përpjekjet individuale:

“Pa politika për njerëzit, pa investim në kapacitetet njerëzore dhe pa vizion afatmesëm, nuk ka drejtësi që reziston. Qytetari nuk pret justifikime, por kërkon funksionim të drejtë, cilësor dhe në kohë të sistemit gjyqësor.”

Shiko në:

Të Fundit