Në prag të festave të Krishtlindjeve, pika kufitare e Kapshticës po përballet me një rritje të ndjeshme të qarkullimit.
Burime zyrtare nga doganat bëjnë me dije se lëvizjet janë më të theksuara në drejtim të hyrjes në Shqipëri, pasi emigrantë të shumtë shqiptarë po kthehen për të kaluar Krishtlindjen dhe Vitin e Ri pranë familjeve të tyre.
Për menaxhimin e situatës, aktualisht janë hapur tre sportele në hyrje dhe dy në dalje, ndërsa funksionojnë edhe dy sportele të dedikuara për autobusët.
Autoritetet konfirmojnë se ka nisur edhe zbatimi i procedurës së përshpejtuar për automjetet me targa greke, me qëllim lehtësimin e kalimit kufitar.
Megjithë, për fluksin e shtuar të mjeteve dhe udhëtarëve, Policia Kufitare është angazhuar për të shmangur krijimin e radhëve dhe për të minimizuar kohën e pritjes.
Sipas statistikave zyrtare, në periudhën 19-23 dhjetor, nga Kapshtica kanë hyrë 24.141 shtetas, ndërsa kanë dalë 11.844 shtetas shqiptarë dhe të huaj.



