STOP-EMISIONI 64(Sezoni 11) 4 Dhjetor 2025-Gjyshja firmos me gisht, tezja merr pronen, testamenti pa kritere ligjore

Ermal Alla i drejtohet emisionit “Stop”, për të denoncuar një testament të vitit 2019, që sipas tij është i pavlefshëm. Dokumenti pretendohet të jetë firmosur nga gjyshja e tij, Belgije Ymeraj, në një zyrë noteriale. Në testament, pasuria e paluajtshme i lihet tezes, Flutura Sinani, e cila tashmë e ka kaluar pronën në emrin e saj. Ermalit thotë, se testamenti është firmosur me shenjë gishti, pa plotësuar kushtet ligjore.Juristi Fatmir Laçej shpjegon, se sipas ligjit, kur personi nuk di të shkruajë, duhet të ketë patjetër një dëshmitar, i cili firmos dhe përfshihet me gjeneralitete dhe dokument identifikimi.Pa këto të dhëna, dokumenti konsiderohet ligjërisht i mangët.Në testamentin e Belgije Ymerajt, të hartuar nga noterja Burgaj, ekzistojnë vetëm dy shënime, një, që tregon shenjën e gishtit të personit dhe një tjetër, që përmend praninë e Albana Qatos, por pa asnjë gjeneralitet, apo mjet identifikimi të dëshmitarit, siç e kërkon ligji. Për të verifikuar procedurat, gazetarët shkojnë me kamera të fshehtë në zyrën e noteres, ku ajo shpjegon, se testamenti për një person 89-vjeçar bëhet edhe me shenjë gishti, por kërkon domosdoshmërisht raport mjeko-ligjor për aftësi mendore me tre firma mjekësh dhe dokument identiteti.Sipas juristit Laçej, mangësitë në testament sjellin pasoja të drejtpërdrejta dhe e bëjnë të pavlefshëm testamentin. Lacej thotë, se i interesuari Ermal Alla, duhet t’i drejtohet gjykatës, për të rrëzuar testamentin në fjalë. Ai thekson se situata do të shmangej plotësisht, nëse noteri do të zbatonte kërkesat ligjore.

Në Durrës, Ervin Salianji dhe Ilir Alimehmeti organizuan një foltore përpara demokratëve, mes simboleve dhe logos së PD-së. Salianji tha, se partia ka forcën për të fituar dhe se kjo fitore nuk është thjesht një mundësi, por një detyrim ndaj demokratëve dhe shqiptarëve. Salianji u zotua se në çdo fshat e çdo lagje mesazhi do të jetë i njëjtë: “Ne mundemi, duhet dhe do ta mundim Edi Ramën.”Në të njëjtën takim, një i ri durrsak, inxhinier IT, solli një krahasim të thjeshtë, duket thënë, se ashtu si një telefon, që ka nevojë për përditësim, që të funksionojë, ashtu edhe PD duhet të bëjë update, për t’u ringritur dhe për të ecur përpara.

Në Berat, një foto zyrtare e Xhamisë së Beratit, apo Xhamisë së Beqarit, sic njihej dikur, e dhuruar nga ministri dhe ish-kryetari i bashkisë Ervin Demo, ka shkaktuar reagime. Në imazhin e ri, xhamia shfaqet pa minare. Krahasimi me fotografinë origjinale tregon, se Xhamia e Beqarit, e ndërtuar nga tre vëllezër beqarë, historikisht ka pasur minare.Edhe më parë emisioni “Stop” ka trajtuar probleme të mungesës së mirëmbajtjes së objekteve të kultit, duke ngritur zërin për restaurimin e kishave të Voskopojës.

Të Fundit