Spitali Rajonal i Durrësit ka dhënë një deklaratë për shtyp në të cilën sqaron se gjatë ndërhyrjes kirurgjikale të 15-vjeçarit nuk ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike pas disa pretendimeve të tilla.
Institucioni thekson se 15-vjeçari ishte paraqitur në gjendje kritike dhe se mjekët kishin ndërhyrë menjëherë me procedurat e nevojshme emergjente. Në një deklaratë zyrtare, spitali sqaron se asnjë ndërprerje energjie nuk është regjistruar gjatë operacionit dhe se pajisjet jetësore funksionojnë me sisteme rezervë të garantuara.
“Duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen e të miturit E.B, i cili humbi jetën informojmë opinionin publik se pacienti është paraqitur në gjendje jashtëzakonisht të rëndë, në shok traumatik–hemorragjik.
Ekipet mjekësore kanë ndërhyrë menjëherë me procedura emergjente të specializuara, duke arritur stabilizimin fillestar dhe trajtimin intensiv pasues. Komplikacionet e zhvilluara janë pasojë e gjendjes kritike dhe arrestit kardiak traumatik.
Në vijim të publikimeve mediatike mbi pretendimin se gjatë ndërhyrjes kirurgjikale në Spitalin Rajonal Durrës “kanë ikur dritat”, sqarojmë opinionin publik si më poshtë:
Pas verifikimeve të kryera me ekipet e sallës së operacionit, anestezistët dhe stafin e reanimacionit, nuk është konstatuar asnjë ndërprerje energjie gjatë operacionit të pacientit në fjalë.
Sistemi i gjeneratorit aktivizohet automatikisht dhe pajisjet jetike kanë bateri të brendshme rezervë, që sigurojnë vazhdimësi të plotë edhe në rast të luhatjeve të mundshme.
Gjithashtu, ashensorët e spitalit janë funksionalë dhe të mbuluar me kontratë aktive mirëmbajtjeje, me mekanizma ndërhyrjeje të menjëhershme në rast defektesh.
Spitali Rajonal Durrës është i angazhuar për garantimin e kujdesit shëndetësor dhe bashkëpunon plotësisht me institucionet kompetente për sqarimin e ngjarjes”, thuhet në deklaratë.



