Godasin fytyrën me çekiçë për mollëza më të theksuara, trendi ekstrem që ka lënë mbi 100 të rinj të lënduar në Rusi

Një trend ekstrem i lidhur me obsesionin për pamjen fizike po shkakton shqetësim në Rusi, ku më shumë se 100 të rinj raportohet se janë lënduar pasi kanë goditur fytyrën me çekiçë, me shpresën se do të arrijnë mollëza më të theksuara dhe tipare më mashkullore.

Sipas raportimeve të NEXTA, kjo praktikë lidhet me të ashtuquajturën lëvizje “lookmaxing”, një prirje që synon përmirësimin e pamjes fizike, veçanërisht përmes ndryshimit të tipareve të fytyrës. Pjesëmarrësit janë kryesisht meshkuj të rinj, të moshës 15 deri në 26 vjeç, megjithëse kjo praktikë thuhet se ndiqet edhe nga burra më të rritur.

Metoda, e njohur në internet si “thyerja e kockave”, bazohet në besimin se goditjet e përsëritura në mollëza dhe në mjekër mund të bëjnë që kockat të bëhen më të spikatura. Megjithatë, kjo praktikë nuk sjell rezultatet e pretenduara dhe mund të shkaktojë dëmtime serioze.

Në pamjet që kanë qarkulluar në internet, një i ri shihet duke goditur vazhdimisht me çekiç mollëzën dhe mjekrën e tij. Në fytyrën e tij dallohen skuqje dhe mavijosje, shenja të dëmtimit të indeve.

Sipas raportimeve, disa prej të rinjve kanë pësuar pasoja shqetësuese, përfshirë gjakderdhje dhe humbje të ndjeshmërisë në pjesë të fytyrës.

Goditjet e forta mund të shkaktojnë fraktura të nofullës dhe të mollëzave, si dhe dëmtime të nervave. Lëndimet e përsëritura mund të çojnë gjithashtu në fibrozë, një proces që shkakton trashje dhe krijim të indit mbresor, i cili në raste të caktuara mund të kërkojë ndërhyrje kirurgjikale.

Pavarësisht rreziqeve, dëshira për të arritur një pamje të caktuar fizike po i shtyn disa të rinj drejt praktikave të rrezikshme, duke e kthyer kërkimin e tipareve të përsosura në një kërcënim real për shëndetin.

Të Fundit