STOP-EMISIONI 53(Sezoni 11) 17 Nentor 2025-Zhdukja e plazhit publik me plan te falsifikuar, ndertimi pa leje, qe zbuloi skandalin.

Në qendër të qytetit të Sarandës, përballë hotelit historik “Butrinti”, në zonën e ish-plazhit publik, del në pah një rast i rëndë i përvetësimit të pronës publike përmes dokumenteve të falsifikuara.Sipas denoncimit të ardhur në redaksinë e emisionit “Stop”, kjo pronë është marrë nëpërmjet falsifikimit të Planit Urbanistik të vitit 2000 të Bashkisë Sarandë. “Stop” ka siguruar planin origjinal, ku zona figuron qartë si plazh publik i Hotel Butrintit, pra tokë-shtet. Ndërkohë, në Zyrën e Urbanistikës dhe në Kadastrën Sarandë, qarkullon një plan i falsifikuar, që e paraqet zonën si pronë private, truall, madje pasqyron aty edhe një ndërtesë njëkatëshe. Ka dyshime të forta, se ky plan i falsifikuar është futur në Bashki rreth vitit 2020, dhe më pas është futur edhe në sistemet e Kadastrës për të zëvendësuar planin real.Në vitin 2025, në Prokurorinë e Sarandës u depozitua një kallzim penal për një ndërtim pa leje, pikërisht në këtë pronë të përvetësuar me dokumente të rreme. Në terren rezulton një soletë betoni, rreth 2 metra e gjerë dhe 6–7 metra e gjatë, ndërtuar në mes të qytetit. Edhe pse ndërtimi ishte në sy të të gjithëve, as Policia, as IMT, asnjë institucion nuk ndërhyri.Pavarësisht, se IMT Sarandë e ka të konfirmuar shkeljen, dhe ka një vendim për prishjen e objektit pa leje, ky vendim nuk është zbatuar prej muajsh. Drejtori i IMT-së, Eduard Veliu, u justifikua, duke thënë, se “janë të ngarkuar” dhe se “nuk ka një datë” për zbatimin e vendimit të prishjes.Ndërkohë, sipas informacioneve, në Prokurorinë e Sarandës po përgatitet pushimi i çështjes. Elementi, që po përdoret si justifikim, është një akt-ekspertimi i bërë nga dy ekspertë privatë, të cilët e kanë cilësuar soletën prej betoni, si “mbulim për depozita uji”.

Sot Në Bruksel u hap kapitulli i gjashtë dhe i fundit i negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Në konferencën për shtyp të kryeministrit Rama, Komisioneres për Zgjerim, Marta Kos, dhe ministres së jashtme daneze Marie Bjerre, përfaqësuesit europianë kishin përgatitur një tortë me qiri me numrin simbolik 6, tortë, për të cilën, Rama me humor, kërkoi një dorë e thikë vikinge për ta prerë.

Në qytetin e Vlorës, Vasil Mertiri, së bashku me dy bashkëpronarë, kishte ndërtuar një pallat të legalizuar dhe kishte paguar të gjitha detyrimet, përfshirë edhe faturën për truallin, gjithsej 44 milionë lekë. Në vitin 2013, pas ndryshimeve të planit urbanistik, objekti i tyre u prish dhe zona u kthye në lulishte publike. Megjithëse pagesa për truallin ishte kryer, shteti nuk ua ktheu kurrë shumën, duke i lënë në pritje për 13 vjet.Gazetarja e “Stop”, stafi i programit kontaktoi Drejtorin e Përgjithshëm të Kadastrës, i cili vuri në lëvizje procedurat e bllokuara prej më shumë se një dekade. Brenda një muaji, çështja e Vasil Mertirit u zgjidh plotësisht dhe ky i fundit, falënderoi emisionin “Stop”, duke theksuar, se gjeti zgjidhjen, që institucionet nuk ia dhanë për 13 vite.

Të Fundit