“Reshje të forta”, kryebashkiaku i Shkodrës: Të tregohet kujdes, masat janë marrë

Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci ka paralajmëruar qytetarët për reshje të pritshme me intensitet të lartë në basenin e lumit Drin.

Kryetari i bashkisë njoftoi në një postim në Facebook se janë marrë të gjitha masat e nevojshme për parandalimin e problemeve, duke përfshirë pastrimin e kanaleve dhe monitorimin e situatës nga KESH.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të ndjekin njoftimet zyrtare, ndërsa strukturat e emergjencave janë të gatshme 24/7 për çdo situatë.

“Sipas parashikimeve të fundit hidrometeorologjike, në basenin e lumit Drin gjatë datave 17–23 Nëntor priten reshje me intensitet të lartë.

Mbajta sot një takim me strukturat e emergjencave të Bashkisë Shkodër, ku e pranishme ishte edhe Prefektja e Qarkut Shkodër, Holta Duda. Nga komunikimi me të gjitha drejtoritë përgjegjëse dhe verifikimet në terren, konfirmohet se gatishmëria është maksimale dhe situata po vlerësohet me seriozitet të plotë. Në gjithë territorin e bashkisë janë kryer ndërhyrje të vazhdueshme në pastrimin e kanaleve, kolektorëve dhe segmenteve të ndjeshme, me qëllim garantimin e funksionimit të sistemit të kullimit dhe parandalimin e problematikave të mundshme.

Jemi në kontakt të vazhdueshëm edhe me KESH, i cili po monitoron në mënyrë të pandërprerë situatën hidrometeorologjike, ndërsa operimi i kaskadës së Drinit po kryhet brenda kushteve teknike dhe kuotave të përcaktuara nga rregulloret në fuqi.

Ftojmë qytetarët të tregojnë kujdes të shtuar, të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat me risk dhe të ndjekin njoftimet zyrtare të institucioneve. Për çdo problematikë, strukturat e emergjencave janë të disponueshme 24/7 në numrin e telefonit 069 60 60 992”, shkruan Benet Beci.

Të Fundit