Qeveria shqiptare dhe ajo italiane pritet të zhvillojnë sot një mbledhje të përbashkët në Romë, e para mes dy qeverive, dhe që shënon nivelin më të lartë të bashkëpunimit mes dy vendeve. Kryeministri Edi Rama, së bashku me 10 ministra, do të marrin pjesë në takimin e përbashkët me kabinetin italian.
Kreu i qeverisë e cilëson këtë takim të përbashkët si një ditë historike të vendit tonë për marrëdhëniet ndërkombëtare, ndërsa bën me dije se do të nënshkruhen 16 marrëveshje të reja bashkëpunimi me Italinë, që e vlerëson si “fqinjin tonë të çmuar perëndimor”.
“Mirëmëngjes dhe me krenarinë për një tjetër ditë historike në marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë, mbledhjen e parë të përbashkët mes dy qeverive, e cila zhvillohet në Romë për t’i hapur rrugë 16 marrëveshjeve të reja konkrete të bashkëpunimit në kuadër të partneritetit të ngushtë strategjik me fqinjin tonë të çmuar perëndimor, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
Të pranishëm do të jenë: zëvendës kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku; ministrja e Jashtme Elisa Spiropali; i Drejtësisë Besfort Lamallari; ajo e Brendshme Albana Koçiu; i Mbrojtjes Pirro Vengu; e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Evis Sala; e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj; i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja; i Mjedisit Sofjan Jaupaj; dhe Adea Pirdeni, ministre e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.
Së pari, në orën 11:40, do të takohen dy kryeministrat Edi Rama dhe Giorgia Meloni, për të vijuar më pas me mbledhjen e përbashkët, që nis në orën 12:30. Rreth orës 14:00 pritet nënshkrimi i marrëveshjeve dhe memorandumeve në fusha si: mbrojtja dhe siguria, energjia, migracioni, mbrojtja civile, shëndetësia, mjedisi, zhvillimi ekonomik dhe infrastruktura.
Ministritë që do nënshkruajnë marrëveshjet janë ajo e Brendshme, e Mbrojtjes, e Shëndetësisë, e Jashtme (një marrëveshje për cybersecurity), dhe e Infrastrukturës dhe Energjisë (marrëveshje financimi për rrjetin elektrik të veriut).
Italia ka zhvilluar dhe të tjera mbledhje të përbashkëta me vende anëtare të BE-së, por është e para herë që do të ulet në një tryezë të përbashkët me një shtet janë Unionit.
Delegacioni shqiptar që do të marrë pjesë në mbledhjen e përbashkët përbëhet nga:
• Belinda Balluku, Zv.kryeministre dhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë
• Elisa Spiropali, Ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme
• Besfort Lamallari, Ministër i Drejtësisë
• Albana Koçiu, Ministre për Punët e Brendshme
• Pirro Vengu, Ministër i Mbrojtjes
• Evis Sala, Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale
• Delina Ibrahimaj, Ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit
• Blendi Gonxhja, Ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit
• Sofjan Jaupaj, Ministër i Mjedisit
• Adea Pirdeni, Ministre e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin




