Në tregun e Fruta-Perimeve në Korçë, një tregtar që prej vitit 2004 punon një bar-kafe të vogël. Por, prej vitit 2015, pa dijeninë e tij, biznesi i vogël ishte tatuar në burim, sikur të ishte pjesë e një kategorie tjetër tatimore. Si rezultat, në sistemin e tatimeve ishte krijuar një debi prej 15 milionë lekësh të vjetra, e cila rëndonte padrejtësisht mbi qytetarin për katër vite rresht. Gazetari i “Stop”, përmes një kamere të fshehtë, verifikoi rastin pranë Drejtorisë së Tatimeve Korçë, ku u zbulua, se ndryshimi i kategorisë së biznesit, mund të ishte bërë gabimisht nga inspektori tatimor në vitin 2015. Më pas, denoncuesi dhe gazetari takuan drejtoreshën e Tatimeve në Korçë, e cila deklaroi, se nuk ishte në dijeni të problemit, por u tregua e gatshme të bashkëpunonte, duke premtuar zgjidhje të menjëhershme.Pas shumë verifikimeve dhe konsultimeve me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, drejtuesja lokale i fshiu debinë 15 milionë lekëshe qytetarit, duke i dhënë fund pas 10 vitesh një padrejtësie të shkaktuar nga një gabim njerëzor administrativ.
Gjatë një vizite në Berlin, Edi Rama tha, se ministrja virtuale Diella, është shtatzënë për herë të parë dhe pret plot 83 fëmijë. Fëmijët e Diellës do të jenë në dispozicion të cdo deputeti të Partisë Socialiste, për asistencë dhe këshillim.
Mhill Hasani i drejtohet emisionit “Stop” pas 700 ditësh pritjeje për të marrë celularin e të birit, Gjon Hasani, i cili kishte ndërruar jetë tragjikisht, duke kryer vetëvrasje. Mhilli kërkon, mqë të paktën të ketë në dorë kujtimet e të birit. Pas ngjarjes, pajisja ishte sekuestruar nga Policia dhe Prokuroria si provë materiale, por askush nuk i kishte dhënë informacion familjes. Gjatë kësaj kohe, janë ndërruar disa oficerë hetues, ndër ta edhe Violeta Progni nga Komisariati nr. 6, ndërsa çështjen e ka në dorë prokurori Shpëtim Garunja.Pas ndërhyrjes së “Stop”-it, prokurori deklaroi, se dosja ishte ende e regjistruar dhe në pritje të një akti ekspertimi, pas së cilës, celulari do t’i dorëzohet familjes. Ai premtoi, se do ta ndiqte vetë rastin deri në zgjidhje.




