Dy shtetas kinezë janë arrestuar në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” nga autoritetet shqiptare, pasi tentuan të fusnin në territorin shqiptar një sasi prej rreth 61 kilogramësh lëndë narkotike, e dyshuar si kanabis me përqindje të lartë të substancës aktive THC.
– Advertisement –
Sipas burimeve zyrtare, lënda narkotike e ndarë në 120 pako u zbulua në katër valixhe udhëtimi që kishin ardhur me një fluturim nga Tajlanda, me tranzit në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Autoritetet shqiptare janë sinjalizuar më herët nga partnerët ndërkombëtarë për këtë ngarkesë, duke mundësuar ndërhyrjen në kohë reale dhe arrestimin e dy shtetasve të huaj.
Ngarkesa është sekuestruar dhe çështja i është referuar strukturave të Antidrogës së Tiranës.
Hetimet vijojnë për të identifikuar destinacionin përfundimtar të drogës, si dhe rrjetin e mundshëm kriminal që fshihet pas këtij rasti të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Njoftimi i policisë
“Finalizohet operacioni policor i koduar “Quality”, i zhvilluar nga DVP Tiranë, Policia Kufitare e Rinasit, Njësia e Informacionit për Pasagjerin dhe Drejtoria e Hetimit Doganor.
Goditet një rast i trafikimit të kanabisit me përqindje të lartë THC nga Tajlanda në Shqipëri.
Si rezultat i operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit kinezë:
-Y. G., 37 vjeç dhe Ch. J., 48 vjeç.
Këta shtetas u kapën në flagrancë në hyrje në Rinas me 2 valixhe me rreth 61 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa me përqindje të lartë THC, që dyshohet se e kanë trafikuar nga Bangkoku, me qëllim shitjen në Shqipëri ndërsa sasia e kanabisit u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftim.