Hetuesit kërkojnë ndihmën e publikut për kapjen e ekzekutorit të Kirk

Hetuesit që po kërkojnë personin e dyshuar për vrasjen e aktivistit konservator amerikan, Charlie Kirk, kanë kërkuar ndihmën e publikut për kapjen e tij.

Kirk, 31-vjeçar, aleat i presidentit amerikan, Donald Trump, u qëllua për vdekje teksa po i adresohej një turme në një universitet në Utah të mërkurën.

Qindra agjentë nga 20 agjenci të zbatimit të ligjit janë duke mbledhur të dhëna për të identifikuar të dyshuarin, por gjatë një konference për media të enjten mbrëma, autoritetet i bënë thirrje publikut për ndihmë.

“Nuk mund ta bëjmë punën tonë pa ndihmën e publikut”, tha guvernatori i Utahs, Spencer Cox për gazetarët, duke shtuar se kanë pranuar më shumë se 7.000 informacione për këtë rast.

“Na duhet sa më shumë ndihmë. Çdo video apo fotografi që mund të keni, duhet të na e dërgoni”.

Policia amerikane beson se sulmuesi qëlloi vetëm një plumb nga një çati rreth 180 metra larg nga vendi ku ishte Kirk, duke e goditur atë në qafë.

Një video e publikuar gjatë konferencës për media shfaqi një person duke vrapuar mbi çatinë e universitetit, më pas duke kërcyer në tokë dhe duke u larguar nga kampusi drejt disa pemëve – ku gjet një pushkë.

Duke vënë në pah natyrën thellësisht politike të vrasjes, arkivoli i Kirkut u transportua në qytetin e tij të lindjes, Feniks, me avionin zyrtar të nënpresidentit amerikan, JD Vance.

Sipas pamjeve, nënpresidenti amerikan duket duke vendosur duart mbi arkivol teksa ai po bartej me avionin Air Force 2.

E veja e Kirkut, Erika, ishte së bashku me bashkëshorten e nënpresidentit Vance pasi avioni arriti në Arizona, ku gjendet selia e organizatës së themeluar nga Kirk, Turning Point USA.

Pas vrasjes së Kirkut, tensionet në SHBA janë rritur. Por, presidenti Trump u ka bërë thirrje mbështetësve që të përgjigjen në mënyrë paqësore, teksa deklaroi për gazetarët se Kirk kishte qenë avokues “kundër dhunës”.

“Kështu dua që njerëzit të reagojnë”, tha ai.

Kirk kishte ndikim të madh në politikën amerikane. Ai bashkëthemeloi organizatën Turning Point USA më 2012 për të nxitur qëndrimet konservatore në mesin e të rinjve.

Babai i dy fëmijëve kishte po ashtu ndjekës të shumtë në TikTok, Instagram dhe YouTube dhe e përdori këtë audiencë për të përçuar përpara idetë e tij konservatore.

Vrasja e Kirkut është ngjarja e fundit në një sërë rastesh të dhunës politike në SHBA, veçmas në vitet e fundit.

Tre muaj më parë, një burrë në Minesota vrau një ligjvënëse demokrate dhe burrin e saj në shtëpinë e tyre.

Ndërkaq, në korrik të vitit 2024 Trump i mbijetoi një atentati gjatë fushatës zgjedhore.

Të Fundit