Policia e Shtetit ka arrestuar në Laç shtetasin Gjergj Gjoka, 40 vjeç, i njohur gjithashtu me identitetet Gjergj Marku, Gjergj Ruqja dhe Gjergi Ruqja, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet spanjolle.
Sipas Policisë, Gjoka akuzohet për disa vepra penale në Spanjë, përfshirë “Krime kundër shëndetit publik”, “Kultivim i bimëve narkotike”, “Pjesëmarrje në organizatë kriminale” dhe “Vjedhje e energjisë elektrike”.
Sipas policisë ky person ka qenë pjesë e një grupi kriminal që merrej me trafikun e drogës.
“Ky shtetas ka qenë pjesë e një grupi kriminal me ndarje të qartë të funksioneve të anëtarëve, duke filluar nga gjetja e ambienteve, marrja me qira dhe përshtatja e tyre për kultivim droge, deri te montimi i pajisjeve për kultivimin e drogës,” njofton policia.
Gjatë operacioneve në Spanjë janë zbuluar dy ambiente të përshtatura për kultivim, një në Oropesa dhe një në Cabanes.
Arrestimi i tij u realizua pas koordinimit me partnerët spanjollë dhe Interpol, dhe tani po punohet për ekstradimin drejt Spanjës, në bashkëpunim me Interpol Madrid.