Studimet tregojnë se temperaturat e larta ndikojnë në humorit tuaj të keq dhe mendimet negative. Duke përdorur rrjetet sociale, studjuesit gjurmuan emocionet e njerëzve dhe i lidhën ato me ditët me temperatura ekstreme. Ata analizuan mbi 1 miliard postime nga më shumë se 150 vende. Përfundimi? Nxehtësia nuk na bën vetëm të djersitemi, por edhe të acarohemi. Studimi, i botuar në revistën One Earth, zbuloi se kur temperaturat ngrihen mbi 35°C, humori ynë kolektiv bie ndjeshëm.
Studiuesit ekzaminuan 1.2 miliardë postime në X nga 157 vende përgjatë një viti. Ata më pas i lidhën postimet me 2 988 lokacione në mbarë globin për të parë kushtet e motit kur ishin postuar. U zbulua se kur temperaturat ngrihen mbi 35°C, përmbajtja e postimeve bëhej rreth 25% më negative në vendet me të ardhura të ulëta dhe 8% më negative në vendet me të ardhura të larta.
Efektet e nxehtësisë mbi humorin në vendet me të ardhura të ulëta ishin trefish më të larta sesa në vendet ekonomikisht më të zhvilluara. Studiuesit thonë se kjo thekson rëndësinë e përshtatjeve në parashikimet e ardhshme të ndikimeve klimatike.
Kërkimet që datojnë nga vitet 1980 tregojnë se sa më e lartë temperatura, aq më shumë shoferët priren të bien borinë. Madje edhe gazetarët priren të përdorin gjuhë më negative kur bën vapë, sipas një studimi për mbulimin mediatik të Lojërave Olimpike të Pekinit 2008.
Megjithatë, ndikimi mbi humorin e njerëzve mund të jetë shumë më serioz se sa thjesht të jesh nervoz në vapë. Dhjetëra vite kërkimesh kanë treguar një lidhje mes krimeve të dhunshme dhe temperaturave të larta.
Një tjetër punim nga vitet 1980 gjurmoi kryengritjet në mbarë botën nga 1791 deri më 1880. U zbulua se shumica dërrmuese ndodhnin gjatë muajve të verës, pavarësisht hemisferës. Në Evropë, kryengritjet kishin më shumë gjasa të ndodhnin në korrik, ndërsa në Amerikën e Jugut kishin më shumë gjasa të ndodhnin në janar.