Vendimi pro ndërtuesit për pallatin e konfiskuar, Rama sërish kritika gjyqtarit

Pas vendimit të arsyetuar të gjykatës, kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për vendimin e gjyqtarit Hazbi Balliu, i cili i dha të drejtë ndërtuesit për një pallat pa leje të konfiskuar, në ambientet e të cilit ishin vendosur zyrat e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ka publikuar arsyetimin e vendimit të gjyqtarit Balliu për vendimin në favor të ndërtuesit, të cilin e cilëson skandaloz.

“Më në fund, gjykatësi Balliu e nxori arsyetimin e shkruar të vendimit të tij skandaloz, për të marrë në mbrojtje palën përfaqësuese të një pallati të ndërtuar totalisht pa leje dhe të konfiskuar në Tiranë, ku u sistemua Agjencia Shtetërore e Kadastrës, e cila prej disa vitesh e vazhdonte punën në një objekt të vjetër e të dëmtuar seriozisht nga tërmeti.

Se si mund të angazhohen prokurorë apo gjyqkatës të Republikës në favor të ndërtuesve të paligjshëm, kjo kërkon të kesh akses në trurin e prokurores Gjeli dhe të gjykatësit Balliu. Por se si mund të shkruajë një gjykatës se ASHK-ja nuk ka prova që nuk mund të vazhdojë të rrijë në një godinë ku bien tavanet e muret, kjo kërkon një durim heroik në pritje që, me ndihmën e të Madhit Zot, organet e kontrollit dhe të qeverisjes së gjyqësorit të zgjohen nga gjumi i tyre, i cili po bëhet gjithnjë e më i rrezikshëm edhe për fatet e vetë Reformës në Drejtësi.

Në foto keni (mos)arsyetimin e gjykatësit Balliu, si edhe situatën e godinës së vjetër të ASHK-së, e cila mesa duket për Balliun është një vend normal pune, për sa kohë nuk ka viktima”, shkruan Rama.

Të Fundit