Policia e Durrësit, është njoftuar këtë dielë lidhur me një konflikt fizik të ndodhur mes dy persona në lagjen nr. 14, Durrës. Pas veprimeve të shpejta, u bë e mundur identifikimi,kapja dhe shoqërimi i autorit të dyshuar në Komisariatin e Policisë Durrës.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin me iniciale K. D., 25 vjeç, banues në Durrës.
Ky shtetas ishte konfliktuar në rrugë, në lagjen nr. 14, për motive të dobëta, me shtetasin G. M., i cili gjatë konfliktit ka pësuar dëmtime në kokë dhe pas trajtimit mjekësor në Spitalin Rajonal Durrës, është transportuar për mjekim të specializuar në Spitalin Universitar të Traumës, në Tiranë.