Një draft i ri për Kodin Penal, i hartuar nga Ministria e Drejtësisë, parashikon masa të reja ndëshkuese ndaj kujtdo që përpiqet të ndikojë vendimmarrjen e gjykatës përmes komenteve publike.
Në dokumentin e publikuar, ndër dispozitat e reja është përfshirë edhe një nen që sanksionon penalisht deklaratat që mund të dëmtojnë pavarësinë e gjyqësorit apo të ndikojnë mbi perceptimin publik për proceset gjyqësore.
Sipas parashikimeve të nenit 534, çdo koment apo publikim që ka për qëllim ushtrimin e presionit ndaj gjykatës, manipulimin e provave, apo nxitjen e mosbesimit tek pavarësia e saj, do të konsiderohet vepër penale dhe dënohet me gjobë ose burg deri në tre vite.
Neni 534, ndikimi në pavarësinë e gjykatës
“Bërja apo publikimi i komenteve me anë të të cilave synohet haptazi të ushtrohet ndikim në aftësinë e gjykatës për të marrë vendimet, nëpërmjet krijimit të rrethanave shtypëse ndaj pavarësisë së saj, shtrembërimit të qëllimshëm të cilësisë së provave apo paraqitjes së tyre në kundërshtim me përmbajtjen e vërtetë, imponimit për të krijuar pabesueshmërinë në publik të aftësisë së gjykatës për të qenë e pavarur, të kryera për çdo interes apo përfitim, për të dëmtuar apo favorizuar persona të veçantë, e kryer përpara dhënies së një vendimi gjyqësor, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.”-shkruhet në draftin e ri të Kodit Penal.