Fermerët që tregtojnë produkte bujqësore dhe blegtorale duhet të japin edhe faturë të fiskalizuar në momentin e shitjes.
Ministrat Anila Denaj dhe Petrit Malaj bënë thirrje për sensibilizim në ditët e fundit të fushatës ndërgjegjësuese për të formalizuar tregun dhe për të garantuar sigurinë ushqimore.
“Ne gjurmojmë, nëse ekziston fatura fiskale, gjurmueshmëria bëhet më e lehtë. Krijon një qartësi për të gjithë konsumatorët që zinxhiri është i mbyllur në të gjithë hallkat e tij, nga momenti kur ju e merrni. Ministria e Financave, së bashku me Tatimet është e angazhur për të bërë verifikimin e faturave të blerjes, për të gjurmuar origjinën e produktit, jo vetëm për të formalizuar aktivitetin, por sepse duhet të evidentojmë se cila është origjina e produktit”, tha ministri i Financave, Petrit Malaj.
“Duam të informojmë tatimpaguesit që të lëshojnë fatura ose të marrin fatura nga fermerët, është e rëndësishme si për të ardhurat në buxhet, por edhe për gjurmimin. Të marrin faturat në momentin që blejnë produkte në fermë”, tha ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj.
Të hënën, Tatimet do të nxjerrin në terren një task-forcë të posaçme me inspektorë për të kontrolluar nëse çdo produkt që shesin fermerët shoqërohet me faturë tatimore të fiskalizuar.
Në rastet kur faturat mungojnë, do të ketë penalitete.