Rama vijon replikat me Farage: Le të caktojmë datën kur të vish në Shqipëri

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar sërish ndaj deklaratave të fundit të Nigel Farage, i cili pretendon se “1 në 48 shqiptarë në Britani është në burg”.

Ka qenë kryeministri ai i cili mëngjesin e kësaj të marte e ka nisur me një reagim të ashpër ndaj deklaratave të bëra nga deputeti Farage, i cili ka përsëritur pretendimet e tij mbi përfshirjen e shqiptarëve në aktivitetet kriminale në Mbretërinë e Bashkuar.

Në reagimin e postuar në rrjetin social “X”, Rama i ka quajtur këto deklarata të Farage  si të gabuara.

Reagimi i Ramës vjen pasi Farage pranoi publikisht ftesën për të vizituar Shqipërinë dhe për të diskutuar marrëveshjen për kthimin e të burgosurve shqiptarë nga Mbretëria e Bashkuar. Në replikat e tij, ai kritikon Farage për keqpërdorimin e statistikave ndaj shqiptarëve, duke hedhur poshtë kështu raportet e tij.

“Nga “një kriminel në pesëdhjetë shqiptarë”, pretendimi juaj tani është shndërruar në: “Ndoshta është një në tre, ndoshta një në katër, nuk e di…”.Vërtet?! Nuk e dini? Dhe kjo vjen pasi thoni se i keni kontrolluar dy herë numrat?

Unë tashmë ju drejtova te të dhënat e vetë The Telegraph (me bujari, mund të thm) duke zgjedhur referencën tuaj, megjithëse një referencë vetëkontradiktore. Por dukeni të vendosur të vazhdoni në gabim. Pra, më lejoni t’ju ndihmoj me sqarime të mëtejshme.

Sipas të dhënave nga Ambasada e Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, një institucion që merret me njerëz të vërtetë, jo me fraza të Brexit, numri i shqiptarëve në vendin tuaj nuk është 53,000, siç sugjeron fillimisht The Telegraph. Në fakt, në të njëjtin artikull, ajo pranon, dhe citoj, “analiza ka të ngjarë të nënvlerësojë madhësinë e popullsisë shqiptare”. Pastaj spekulon se shifra mund të jetë deri në 140,000.

Në realitet, Z.Farage, e dini çfarë? Shifra është mbi 300,000, vëlla! Këta janë njerëz që mësojnë fëmijët tuaj, ndërtojnë shtëpitë tuaja, kujdesen për të moshuarit dhe të sëmurët tuaj. Ata nuk janë mish për dhëmbët e propagandës së shpëlarjes së trurit pas Brexit-it. Ata janë pjesë e strukturës së gjallë dhe frymëmarrëse të shoqërisë suaj.

Edhe pa kontrolluar moshën, gjininë ose statusin socioekonomik, raportet tuaja bien. As një në pesëdhjetë. Dhe sigurisht jo një në tre ose katër. Këto nuk janë statistika, janë taktika frikësimi të maskuara si të dhëna.

Pra, më lejoni t’ju pyes qartë: pse është kaq e vështirë të pranosh se ke gabuar, pa zvarritur në baltë një komunitet të tërë njerëzish të shkëlqyer dhe punëtorë që i shërbejnë atdheut tënd me dinjitet sikur të ishte i tyri?

Britania është tashmë e madhe dhe jo më pak për shkak të diversitetit, qëndrueshmërisë së saj dhe forcës së saj shumëkulturore. Një komb në stres politik post-traumatik nuk ka nevojë për kurbane. Nuk ka nevojë për goditje të lira. Dhe sigurisht nuk ka nevojë për mite në vend të fakteve.

Shpresoj sinqerisht që vizita juaj e ardhshme në Shqipëri t’ju frymëzojë të luftoni për ide, në vend që të luftoni kundër njerëzve, në frymën e traditës së madhe liberale për të cilën vendi juaj ka qëndruar prej kohësh.

Pres me padurim t’ju mirëpres në vendin tonë të bukur si mysafir nderi. Por, përpara se të arrini për të shijuar diellin e vërtetë dhe mikpritjen e sinqertë, a mund të biem dakord të diskutojmë faktet, jo fantazitë tuaja post-realiste?”, shkruan Rama.

Nga ana tjetër, as Farage nuk ësht kursyer me komentet e tij ndaj kryeminsitrit Rama, bashkangjitur me pranimin e ftesës.

“Kjo është e pabesueshme, por e vërtetë. Një në çdo 50 shqiptarë në Britani ndodhet në burg. E kam përmendur këtë çështje së fundmi edhe në GB News. Por Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, një figurë e njohur dhe e fuqishme, reagoi duke më quajtur të pavërtetë dhe tha se shifrat që paraqita janë plotësisht të gabuara.

Ai gjithashtu kritikoi Britaninë që guxon të mendojë për deportimin e personave që kanë dështuar në kërkesat për azil. Ironikisht, vetë ai po negocion një marrëveshje me Italinë për të pranuar disa nga azilkërkuesit e tyre të refuzuar. Ky është një standard i dyfishtë — sidomos nga një kryeministër pro-Bashkimit Europian dhe kundër Brexit-it.

Epo mirë, Edi, nëse je vërtet një njeri i drejtë, pse nuk i merr të gjithë të burgosurit shqiptarë që ndodhen këtu në Britani? Ai madje deklaroi se, nëse shifrat e mia do të ishin të sakta, do të pranonte të kthente çdo shqiptar që ndodhet në burg në Mbretërinë e Bashkuar.

Ne i kemi verifikuar dhe rivlerësuar të dhënat tona. Jemi të sigurt në to. Por Edi thotë se kemi gabuar, sepse në Britani ndodhen mijëra shqiptarë ilegalë. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë përqindja e të burgosurve mund të mos jetë një në 50. Ndoshta është një në tre. Ndoshta një në katër. Nuk e di saktësisht.

Ajo që është e qartë, është se përplasja me Kryeministrin shqiptar vazhdon. Madje, pasdite isha i ftuar edhe në televizionin shtetëror të Shqipërisë. Por, për t’i dhënë meritën që i takon, Edi Rama më ka ftuar të shkoj në Shqipëri për të biseduar për këtë çështje. Dhe po, do ta pranoj ftesën për drekë — dhe do të raportoj për gjithçka pas vizitës”, thuhet në shkrimin e Nigel Farage në momentin që ka pranuar ftesën e kryeminsitrit për të ardhur në Shqipëri.

Të Fundit