Një projekt ambicioz që pritet të trondisë kufijtë aktualë të shkencës dhe etikës, ka nisur në Mbretërinë e Bashkuar me ndërtimin nga e para ADN-së njerëzore.
Financuar fillimisht me 10 milionë paund nga fondacioni Wellcome Trust, organizata bamirëse më e madhe mjekësore në botë, projekti synon të krijojë seksione të ADN-së njerëzore në mënyrë sintetike, me qëllim përparimin e trajtimeve për sëmundje të pashërueshme.
Ky hulumtim shënon një kthesë të rëndësishme në biologji, pasi për herë të parë shkencëtarët do të kalojnë nga thjesht leximi i ADN-së në ndërtimin e saj molekulë pas molekule. Quajtur Projekti i Gjenomit Sintetik Njerëzor, iniciativa synon në fazën e parë të krijojë kromozome njerëzore të ndërtuara plotësisht në laborator.
Dr. Julian Sale, nga Laboratori i Biologjisë Molekulare MRC në Kembrixh dhe pjesë e projektit, e konsideron këtë një hap gjigant në biologji:
“Qielli është kufiri. Ne po synojmë terapi që përmirësojnë jetën e njerëzve teksa plaken, përfshirë edhe krijimin e qelizave rezistente ndaj sëmundjeve, të cilat mund të përdoren për të riparuar organe si mëlçia apo zemra.”
Qëllimi afatgjatë është që përmes këtij kontrolli të ri mbi strukturën e ADN-së të kuptohet më mirë roli i gjeneve dhe të krijohen trajtime të synuara për sëmundje që aktualisht nuk kanë shërim.
Megjithatë, projekti nuk ka kaluar pa polemika. Kritikët paralajmërojnë për rrezikun e përdorimit të teknologjisë për qëllime të dëmshme.
Dr. Pat Thomas, nga grupi i fushatës Beyond GM, paralajmëron:
“Shkenca nuk është gjithmonë neutrale. Ekziston rreziku që kjo teknologji të përdoret për qëllime të tjera, përfshirë armë biologjike ose krijimin e njerëzve të ‘përmirësuar’ gjenetikisht.”
Edhe profesorë të tjerë, si Prof. Bill Earnshaw nga Universiteti i Edinburgut, shprehen se kufizimet aktuale ligjore dhe etike mund të mos jenë të mjaftueshme për të ndaluar entitete me synime të dyshimta.
Për të përballuar këto shqetësime, një program paralel i kërkimit social dhe etik do të drejtohet nga sociologia Prof. Joy Zhang në Universitetin e Kentit. Ky program do të mbledhë mendimet e publikut dhe ekspertëve mbi ndikimet potenciale të projektit.
Dr. Tom Collins nga Wellcome Trust, i cili dha miratimin për financimin, tha për BBC News:
“Kjo teknologji do të zhvillohet një ditë, me apo pa ne. Qasja jonë është ta bëjmë këtë tani, në mënyrën më të hapur dhe të përgjegjshme të mundshme.”
Ky zhvillim vjen në 25-vjetorin e përfundimit të Projektit të Gjenomit Njerëzor, i cili për herë të parë hartëzoi të gjithë ADN-në njerëzore. Projekti i ri synon të shkojë përtej kësaj, jo vetëm ta lexojë kodin e jetës, por ta krijojë atë nga e para.