Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, Shkodër, ka bllokuar 124 kg mish, për shkak se ishin pa vulë dhe pa certifikatë veterinare.
Përmes një njoftimi, AKU – Shkodër, bën me dije se përveçse bllokimit të mishit, ka pasur gjithashtu gjoba të vlerave të larta që arrijnë totalin 600,000 lekë, por gjithashtu janë bllokuar dhe dy biznese. Bllokimi i bizneseve ka ardhur si pasojë e mos regjistrimit të tyre në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Kontrollet e AKU-së u bënë në kuadër të monitorimit të situatës së sëmundjes PPR tek ruminantët e vegjël, për gjetjen e shkeljeve ligjore në tregtinë e mishit.
“Mbi kontrollin dhe masat e marra ndaj shkeljeve ligjore në tregtimin e mishit
Në kuadër të monitorimit të situatës së sëmundjes PPR tek ruminantët e vegjël
Në zbatim të urdhrit të Drejtorit të Përgjithshëm për monitorimin e situatës së sëmundjes së ruminantëve të vegjël (PPR), trupa inspektuese/monitorese e AKU-së, Drejtoria Rajonale Shkodër, gjatë kontrolleve të ushtruara në datat 21 dhe 22 qershor 2025, konstatoi në kushtet e flagrancës shkelje të rënda të kërkesave ligjore në katër subjekte me aktivitet tregtimi mishi.
Detajet e kontrolleve dhe masave të marra:
Më datë 21.06.2025:
1. Subjekti 1 – Tregtim mishi
• Shkelja: U bllokuan 2 karkasa qingji, në total 12 kg, pa vulë dhe pa certifikatë veterinare.
• Masa administrative: Gjobë në vlerën 100,000 lekë, bazuar në Ligjin nr. 87/2012 dhe Aktin Normativ nr. 4, datë 16.08.2012 “Për përcaktimin e rregullave për therjen e kafshëve dhe tregtimin e mishit të tyre”.
2. Subjekti 2 – Tregtim mishi
• Shkelja: U bllokua 1 karkasë qingji, në total 7 kg, pa vulë dhe pa certifikatë veterinare.
• Masa administrative: Gjobë në vlerën 100,000 lekë, në bazë të të njëjtit legjislacion.
Më datë 22.06.2025:
3. Subjekti 3 – Tregtim mishi
• Shkelja: U bllokua mish në sasi 75 kg, pa vulë dhe pa certifikatë veterinare. Subjekti ishte gjithashtu i paregjistruar në QKR.
• Masat e marra:
• Bllokimi i aktivitetit tregtar
• Gjobë në vlerën 200,000 lekë
4. Subjekti 4 – Tregtim mishi
• Shkelja: U bllokua mish në sasi 30 kg, pa vulë dhe pa certifikatë veterinare. Subjekti ishte gjithashtu i paregjistruar në QKR.
• Masat e marra:
• Bllokimi i aktivitetit tregtar
• Gjobë në vlerën 200,000 lekë
⸻
Përmbledhje:
• Numri total i subjekteve të kontrolluara me shkelje: 4
• Sasia totale e mishit të bllokuar: 124 kg
• Destinacioni i mishit të bllokuar: Asgjësimi
• Vlera totale e masave administrative (gjoba): 600,000 lekë.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit thekson rëndësinë e zbatimit rigoroz të kërkesave ligjore në lidhje me sigurinë ushqimore dhe shëndetin publik dhe do të vijojë kontrollet intensive në të gjithë territorin për të garantuar mbrojtjen e konsumatorëve dhe standardet ligjore në tregtimin e produkteve me origjinë shtazore‘, njofton AKU-ja.