Një ndërprerje masive e energjisë ka goditur Spanjën dhe Portugalinë të hënën, duke lënë miliona qytetarë pa energji elektrike, sipas raporteve të mediave lokale. Ndërprerja ka prekur të dy vendet, me problematika të theksuara në rrjetin elektrik evropian.
Në Portugali ndërprerja është ndier në të gjithë territorin e vendit, ndërsa raporte të ngjashme po vijnë gjithashtu dhe nga Franca.
Aeroporti Ndërkombëtar Barajas në Madrid ka mbetur pa energji, ndërsa telekomunikacionet janë prekur gjithashtu, me qytetarët në të dy vendet që raportojnë se nuk kanë mundësi të aksesojnë rrjetet celulare.
Aeroportet dhe transporti publik janë bllokuar në disa rajone. Pasagjerë të shumtë kanë mbetur të bllokuar në metro në Madrid dhe Lisbonë, ndërsa trenat kanë ngelur të bllokuar në tunelet midis stacioneve. Po ashtu, spitalet, përfshirë spitalin La Paz në Madrid, janë prekur nga ndërprerja.
Në të njëjtën kohë, qeveria spanjolle ka mbajtur një mbledhje urgjente në Moncloa për të monitoruar situatën, ndërkohë që autoritetet janë angazhuar për të pasur përditësime të shpejta mbi zhvillimet. Qytetarët e Andorrës dhe disa pjesë të Francës që ndodhen pranë kufirit me Spanjën gjithashtu kanë raportuar për ndërprerje të energjisë elektrike, ndërkohë që problematika është shtrirë deri në Belgjikë.
Për momentin, shkaku i ndërprerjes mbetet i paqartë. Kompanitë kryesore të furnizimit me energji në Spanjë, Endesa dhe Iberdrola, janë duke hetuar incidentin. Mediat po raportojnë gjithashtu për shqetësime në rrjetin elektrik evropian, që ka ndikuar direkt në rrjetet kombëtare të Gadishullit Iberik.
Një zjarr në jug-perëndim të Francës, në malin Alaric, i cili ka dëmtuar një linjë të tensionit të lartë midis Perpignan dhe Narbonne, mund të jetë një nga faktorët që ka kontribuar në këtë ndërprerje.