Prokuroria e Gjirokastrës ka regjistruar procedime dhe po heton për dy vepra penale që prekin zgjedhjet e lira.
Rasti i parë ka të bëjë me një incident të ndodhur në zonën zgjedhore të Dropullit, ku u denoncua mëngjesin e sotëm se kishte humbur vula e KZAZ-së.
Po ashtu, një rast tjetër është procedimi ndaj një qytetari që akuzohet se ka kërcënuar dhe denigruar me fotografi të postuara në internet një person tjetër, për shkak të qëndrimit që kishte mbajtur ndaj një subjekti zgjedhor.
Njoftimi i Prokurorisë Gjirokastër:
Prokuroria Gjirokastër regjistron dy procedime penale për veprat që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Gjirokastër ka regjistruar dy procedime penale në lidhje me veprat penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve.
Mbi bazën e materialeve të referuara nga Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër, u regjistrua më datë 23.04.2025, procedimi penal nr.248, për veprën penale “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”, të parashikuar nga neni 326/a i Kodit Penal, mbi bazën e kallëzimit të një prej anëtarëve të ZAZ Dropull, se mungonte vula e kësaj ZAZ-je.
Në kuadër të këtij procedimi janë kryer veprimet e para procedurale dhe është ngritur grupi hetimor, i cili po kryen me prioritet të gjitha veprimet e nevojshme me qëllim zbardhjen e plotë të kësaj çështjeje.
Në të njëjtën ditë, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, mbi bazën e kallëzimit të shtetasit E.S., ka regjistruar procedimin penal nr.249, për veprën penale “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”, të parashikuar nga neni 329/1 i Kodit Penal.
Nga të dhënat, rezulton se më datë 22.04.2025, shtetasi E.S. ka kallëzuar faktin se shtetasi A.M e ka kërcënuar nëpërmjet rrjeteve sociale. Kanosja ka ardhur si reagim i opinioneve që shtetasi E.S ka shprehur lidhur me një subjekt zgjedhor.
Sipas kallëzimit, pretendohet se shtetasi A.M ka përdorur jo vetëm gjuhë kërcënuese por edhe imazhe intimiduese.Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër po vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, shpreh angazhimin e plotë për vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve.