Në vijim të reagimit të opozitës pas vendimit të qeverisë për të mbyllur rrjetin social, Tik Tok, kryedemokrati, Sali Berisha bëri këtë të premte për të gjithë prindërit dhe të rinjtë që të bojkotojnë mësimin në orën e parë ditën e hënë.
Sipas tij, kjo do të jetë forma e parë e reagimit deri në protestën e 15 marsit që ka thirrur opozita në Tiranë përballë kryeministrisë.
“Protesta e nxënësve, studentëve dhe të rinjve më 15-të do të jetë më e bukura që ka parë Shqipëria deri më sot. Protesta kundër censurës. Pavarësisht nga mosha, ju, të rinjtë, bëheni luftëtarë kundër narko-diktaturës së Ramës. Kam edhe një thirrje tjetër, të fillojë bojkoti i mësimeve. Po, ia vlen. Të dashur të rinj dhe të reja, ai që vendosi censurën, shkelmon mbi të ardhmen tuaj,” tha Berisha.
Në këtë konferencë me gazetarët këtë të premte Berisha, denoncoi Korporatën e Investimeve Shqiptare, duke e cilësuar atë si një mekanizëm për shpërdorimin e pronave shtetërore nga maxhoranca socialiste.
Sakaq ditën e enjte, pas vendimit të qeverisë për të mbyllur Tik Tok, Berisha lajmëroi një protestë kombëtare më datë 15 mars.
“Ky akt censure është një akt i mirëfilltë fanatizmi ndaj mendimit të lirë dhe shprehjes së tij. TikTok është një platformë komunikimi e cila sot ka pëlqimin masiv të të rinjve në Shqipëri dhe në botë. Të pretendosh se po ecën drejt Europës në këtë formë, bëhet një akt monstruoz kundër fjalës së lirë dhe dëshmon se udhëtimi europian i Shqipërisë është një hipokrizi për Ramën.
Nisur nga ky rast, ftoj gjimnazistët, të rinjtë, qytetarët të nisim betejën për çlirimin e TikTok me datë 15 mars, nga ku do të zhvillojmë protestë të përgjithshme kombëtare në “Sheshin Skëndërbej” para Kryeministrisë. Një protestë me të cilën kërkohet anullimi i menjëhershëm i vendimit për censurën dhe bllokimin e TikTok-ut. Ftoj të rinjtë dhe prindërit të mos bëhen viktima të mashtrimit të Ramës”, deklaroi Berisha