Shkencëtarët që janë përpjekur ‘të ringjallin’ mamuthin leshator kanë krijuar një mi leshator.
Colossal Biosciences njoftoi në vitin 2021 për ringjalljen e mamuthit leshator e më vonë zogut dodo (zog i rëndë që s’fluturon) duke tërhequr investitorë, media dhe kritikë.
Përveç ringjalljes së specieve të zhdukura, kompania shpreson se me punën e saj mund të ndihmojë në ruajtjen e kafshëve. Por shkencëtarë të tjerë kanë këndvështrime të përziera për të dhe nëse kjo mund të ndihmojë.
Të martën, Colossal Biosciences tha se shkencëtarët kishin ndryshuar shtatë gjene në embrionet e minjve për të krijuar një mi me qime të gjata e të trasha, raporton Sky News. Ata e quajtën brejtësin “miushi leshator kolosal”.
Tani kompania mendon të hedhë hapin tjetër për të modifikuar gjenetikisht elefantët aziatikë për t’u dhënë tiparet e mamuthit leshator, por kritikët thonë se kjo është diçka tjetër nga ringjallja e kafshëve të zhdukura. Sipas tyre, kjo vetëm do të ndryshojë elefantin aziatik duke i shtuar gëzof apo përshtatjen me të ftohtin.
Rezultatet nuk janë publikuar ende apo të jenë shqyrtuar nga shkencëtarë të pavarur.
Në një konferencë për shtyp, Colossal Biosciences tha se miushi kishte marrë edhe metabolizmin e shpejtë të yndyrnave. Këto janë tiparet që lidhen me rezistnecën ndaj të ftohtit.
Këto variacione gjenetike ekzistonin tashmë në disa minj, por shkencëtarja Beth Shapiro tha “i vendosën të gjitha bashkë në një”.
Por shefi ekzekutiv theksoi se duke qenë se elefantët aziatikë janë në rrezik zhdukjeje, do të ketë shumë pengesa për të vijuar më tej.