Një çift tajlandez që vendosi rekord Guinness në vitin 2013 për puthjen më të gjatë, është ndarë.
Ekkachai dhe Laksana Tiranarat u puthën pa ndalim për 58 orë e 35 minuta duke thyer rekordin që kishin vendosur në vitin 2011. Rekordi i tyre i parë ishte 46 orë dhe 24 minuta.
Puthja e rekordeve ndodhi në Pattaya, Tajlandë dhe nisi më 12 shkurt 2013 duke përfunduar në ditën e Shën Valentinit.
“Jam shumë krenar. Është një përvojë që vjen veç njëherë në jetë. Ne kaluam shumë vite bashkë dhe po përpiqem të ruaj kujtimet e bukura të asaj çfarë kemi arritur”. Çifti s’ka dhënë detaje për ndarjen. Pavarësisht saj, Ekkachai tha se ruajnë ende respektin për njëri-tjetrin.
Ai kujoi edhe rregullat e forta të konkursit ku duhej të vazhdonin puthjen edhe gjatë shkuarjes në tualet dhe të kalonin ujin gojë më gojë.
Në vitin 2013, ata s’ishin të vendosur për pjesëmarrjen. Laksana ishte 33 vjeçe asokohe dhe sapo e kishte marrë veten nga një sëmundje dhe Ekkachai kishte planifikuar një udhëtim për të. Në 2012, ata humbën përballë një çifti tjetër dhe vendosën se duhej të rimerrnin atë që u takonte.
“Ne duhet të qëndronim drejt si statuja. Në vend që ta pickonim njëri-tjetrin që të rrinim zgjuar, e preknim në kokë me njërën dorë dhe me tjetrën e përqafonim”.
Çifti duhet të thyente rekordin 50 orë e 25 minuta. Çmimi ishte dy unaza diamanti dhe 100.000 baht (3000 dollarë).
Kur ata fituan, Ekkachai kujton se ishte shumë i lodhur. “Nuk doja të rrija më në këmbë. Doja të pija ujë. Doja vetëm të pushoja dhe pija”.
Në 2013, pas 15 vitesh, Guinness World Records e hoqi kategorinë e puthjes më të gjatë duke thënë se ishte e rrezikshme dhe disa rregulla binin në kundërshtim me politikat e reja. Në një deklaratë në faqen zyrtare, njoftuan se kjo ishte zëvendësuar me maratonën e të puthurit më gjatë.
Longest kiss? Ekkachai & Laksana Tiranarat (Thailand) kissed for 58 hrs 35 mins and 58 secs, #ValentinesDay 2013 pic.twitter.com/YNWh14pBZh
— Guinness World Records (@GWR) February 14, 2016
Ndryshimi qëndron se konkurrentët mund të pushojnë. Pas çdo ore që puthen, ata pushojnë 5 minuta që mund të grumbullohen nëse nuk konsumohen. Konkurrentët mund të flenë, hanë dhe mos të puthen gjatë këtyre pushimeve duke shmangur rrezikun e të fikëtit, psikozës apo problemeve me frymëmarrjen.
Ndër vite, disa konkurrentë kanë pësuar probleme shëndetësore gjatë konkursit të puthjes. Në vitin 1999, rekordmenëve Karmit Tzubera dhe Dror Orpaz thuajse u ra të fikët pasi u puthën për 30 orë dhe u shtruan në spital.