Një 49-vjeçar është vendosur në pranga pasi qëlloi me armë gjahu drejt një 26-vjeçari pas një konflikti për një manovër të gabuar në qarkullim në aksin rrugor “Manzë-Maminas”.
I arrestuari është identifikuar si Ardian Hoxha. Sekuestrohet arma e gjahut çifte.
“Menjëherë pas njoftimit se në aksin rrugor “Manzë-Maminas”, një shtetas kishte qëlluar me armë gjahu, në drejtim të automjetit të një shtetasi tjetër, për shkak të një konflikti të çastit, për një manovër të gabuar me automjet, shërbimet e Stacionit të Policisë Manzë kanë shkuar në vendngjarje për të kapur dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, autorin.
Si rezultat, u kap në flagrancë dhe u vu në pranga autori i këtij rasti, shtetasi Ardian Hoxha, 49 vjeç, banues në Manzë. Nga të shtënat pati vetëm dëme materiale”, njoftoi policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Durrës, për veprime të mëtejshme.