Stivi Fejzolli dhe Klaivert Shaqelli, kanë rënë në prangat e policisë të Maliqit, pasi dyshohen për vendosjen e basteve sportive online.
Arrestimi u krye mbrëmjen e djeshme, pas informacioneve që policia kishte marrë për veprimtarinë e tyre të paligjshme.
Burime bëjnë me dije se policia e Maliqit ushtroi kontrolle në lokalin e babait të njërit prej të arrestuarve, në fshatin Plasë.
Gjatë kontrollit, policia gjeti telefona që përdoreshin për vendosjen e basteve sportive. Në telefonat e dy të arrestuarve u gjetën komunikime në WhatsApp ku ata kishin vendosur shuma të ndryshme parash në skedina.
Dyshohet se janë vendosur më shumë se 150 skedina brenda një periudhe të shkurtër, thuajse një muaj.
Stivi Fejzolli punonjës i bashkisë së Maliqit dhe miku i tij Klaivert Shaqelli akuzohen për disa vepra penale, përfshirë “organizimin e veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, “vënia në dispozicion për lojëra të palejuara” dhe “fshehja e të ardhurave”.