Vrasja e nxënësit 14-vjeçar, Ministria e Arsimit: Institucionet ligjzbatuese të zbardhin rrethanat

Ministria e Arsimit dhe Sportit ka reaguar pas ngjarjes së rëndë që ndodhi ditën e sotme në kryeqytet, ku një nxënës i shkollës 9-vjeçare “Fan Noli” ndërroi jetë pasi u qëllua me thikë nga bashkëmoshatarë të tij.

Në reagimin e ministrisë kërkohet që institucionet ligjzbatuese që të kryejnë zbardhjen e menjëhershme të të gjitha rrethanave të kësaj ngjarjeje. Ministria shprehet se ka marrë në vazhdimësi, dhe është duke zbatuar masa konkrete për të garantuar që procesi i mësimdhënies, në të gjitha shkollat e Shqipërisë, të kryhet në mënyrë sa më të sigurt, të rregullt e me standarde.

Po ashtu, në reagimin e saj MAS ka apeluar për rëndësinë e rolit aktiv të gjitha palëve, prindër, mësues, punonjës të policisë së shtetit, institucione arsimore por edhe komuniteti, për të bërë të mundur parandalimin e ngjarjeve të tilla në të ardhmen.

Reagimi i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit

Jemi thellësisht të tronditur nga ngjarja tragjike e ndodhur sot në rrugën “Qemal Stafa”, Tiranë, ku një konflikt mes tre të miturve çoi në humbjen e jetës së njërit prej tyre, nxënës i shkollës “Fan Noli”. Ngushëllimet tona më të sinqerta i shkojnë familjes së nxënësit që humbi jetën, ndërsa urojmë shërim të shpejtë për nxënësin tjetër. Në të njëjtën kohë, kërkojmë nga institucionet ligjzbatuese që të kryejnë zbardhjen e menjëhershme të të gjitha rrethanave të kësaj ngjarjeje.

Siguria në shkolla dhe jashtë tyre ka qenë dhe do të mbetet një prioritet absolut, i bashkëpunimit mes Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit, Ministrisë së Arsimit, Pushteti Vendor, komunitetit dhe të gjithë shoqërisë.

Ministria e Arsimit dhe Sportit ka marrë në vazhdimësi, dhe është duke zbatuar masa konkrete për të garantuar që procesi i mësimdhënies, në të gjitha shkollat e Shqipërisë, të kryhet në mënyrë sa më të sigurt, të rregullt e me standarde. Ndërkohë që Ministria e Arsimit dhe Sportit është maksimalisht e angazhuar për të siguruar mjedise sa më të sigurta për zhvillimin normal të mësimit në të gjithë Shqipërinë, mbetet gjithmonë thelbësor roli sa më aktiv i të gjitha palëve, prindër, mësues, punonjës të policisë së shtetit, institucione arsimore por edhe komuniteti, për të bërë të mundur parandalimin e ngjarjeve të tilla në të ardhmen.

Të Fundit